“Ofshamë” e Zake Prelvukaj mbërtheu edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës (FOTO)

“Ofshamë” e Zake Prelvukaj mbërtheu edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës (FOTO)

Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.

E bardhë, e zezë, ngjyrë kafeje, e verdhë, e kuqe, krem, ngjyrë portokalli… Portret duke ulëritë, trup femre, dorë, mure, shtëpi… ‘Pa Mitrovicë nuk ka Kosovë’, ‘Rroftë Mitrovica’, ‘Stop Manifestimeve pa çlirimin e Mitrovicës’, ‘Mos e prek’, ‘Shpia e Zane’… ‘Art modern’, ‘Demokraci’, ‘Shoot’, ‘Madness’… e krejt kjo ‘OFSHAMË’.

Mbrëmja e së hënës në Galerinë Kombëtare të Kosovës solli këtë qasje përmes pikturave të artistes shqiptare Zake Prelvukaj. Kjo ekspozitë personale e Prelvukajt mblodhi rreth ‘Ofshamës’ shumë miq, artdashës e familjarë të artistes, për të cilën kryeqyteti kosovar ka pritë goxha gjatë që të vijë me një ekspozitë të tillë. Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.

Kjo ekspozitë u hap me fjalët e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës Arta Aganit, e cila menjëherë ia kaloi fjalën ministres në detyrë në MKRS, Vlora Dushmoshit. Dumoshi, tha që është e nderuar të marrë pjesë në ekspozitën e mikes së saj, e cila përveç pikturës dhe talentit të saj, veçori specifike, sipas Dumoshit është edhe gjuha e malësisë të cilën ajo e flet. “Vetë kjo ekspozitë me titullin ‘Ofshamë’ e tregon një rrugëtim të popullit tonë dhe këtë më së miri e shpreh Zakja”, tha Dumoshi.

Ndërsa një katalog më i veçantë se nëpër ekspozita të tjera ishte ky për ekspozitën e Zake Prelvukajt. Në këtë katalog një shkrim të veçantë kishte bërë Shkëlzen Maliqi, me ç’rast lexoi pak pjesë nga ai shkrim.

“Artet bashkëkohore lirinë dhe kuptimin e kërkojnë para së gjithash te vetvetja e jo nënshtrimet e detyrimeve sociale, politike, religjioze… edhe në raste kur këto detyrime duken plotësisht të arsyeshme, ose për më shumë, si vlera sublimë, imponuese, të shenjta. Nga ana tjetër, kuptohet se nga artisti nuk mund të pritet që ai, si qenie sociale dhe politike që është, të shkëputet plotësisht nga jeta dhe zotimet sociale, të cilat në kohërat e krizave dhe të mbijetesës bëhen pothuajse të pashmangshme”, theksoi Maliqi, i cili vazhdoi tutje të thotë se Zake Prelvukaj shprehet plotësisht e vetëdijshme për këtë situatë ekzistenciale të artit.

“Në një bashkëbisedim me sinqeritetin më të madh ajo më kishte thënë: “Në vitet 90-ta, kur unë seriozisht pata filluar të merresha me art, krijimtaria ime motivohej jo vetëm nga dëshira dhe dashuria për artin, por edhe nga revolta””, pohoi Maliqi.

Pasi të pranishmit që ishin në një numër të madh shikuan e shijuan këtë ekspozitë, KultPlus foli me kritikun e artit Ilir Muharremi. Ai tha se Zakja konsiderohet si artiste e guximshme, mirëpo, sipas tij, koha ka ndryshuar, pasi që atëherë sistemi dhe femrat pak merreshin me art, kurse sot merren shumë.

“Motivet nuk qenë më të ndryshme nga ato që i kemi parë të Zakja, si për shembull: Demokracia tani trageti në mesin e këmbëve të femrës. Tashmë janë tejkaluar këto, nuk janë më atraktive, sepse femra është avancuar, duhet të avancohet dhe artistja të jetë përpara kohës së sotme e jo të jetoj me të kaluarën. E veçanta e ekspozitës ishte realizimi i punimeve në stilin e Zakës, herë abstrakt e herë ekspresiv abstrakt, sidomos portretet e shpërqendruara që ma kujtonin Dr. Zhivagon. Por edhe motivi nga lufta e fundit, mbishkrimet. Ka formën, vijën dhe ngjyrën por edhe kompozicionin. Është art i ndërdies, nuk i jep rëndësi veç figurës, por tërë kompozicionit. Ka përjetime individuale, ulërimë, ulërimë e munkut piktorit, klithma por nuk ka krijim të ri mbi sistemet, mbetet me të kaluarën e sistemeve”, u shpreh Muharremi i cili përfundoi të thotë se e sheh më shumë si art individual.

E vetë protagonistja kryesore e kësaj ngjarje, artistja Zake Prelvukaj, iu tha të pranishmëve se e kanë nderuar në rrugëtimin e saj jo të lehtë. Ajo tha se stacioni i saj ishte Prishtina e këndshme dhe e mira, ishte shtëpia e saj e cila gjithmonë u mor me art.

“Mora një rrugë që nuk e dija se ku të qet e ku do të shkoj, mirëpo ajo rrugë ishte më i rëndësishmi në jetën time, në atelienë në të cilën u rrita, studiova, krijova. Këto rrugë nuk duhet t’i shikojmë si të vështira, se njerëzit thonë që ndoshta nuk të shpërblehet puna, por unë për të gjithë ju them se puna shpërblehet dhe kjo puna ime është puna juaj, puna juaj është puna ime dhe në çdo”, u shpreh artistja e cila pas këtij fjalimi morri shumë duartrokitje e pastaj edhe shumë urime.
‘Ofshamë’ e Zake Prelvukajt do të qëndroj e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 5 tetor të këtij viti./ KultPlus.com

Shpërndaje në: