Oda e Mjekëve s’e pezullon pagesën prej 30 eurosh për pacientët që duan të ankohen
30 euro duhet të paguajë një qytetar i Kosovës nëse dëshiron të ankohet për stafin mjekësor dhe raportimin duhet ta paraqesë në Odën e Mjekëve të Kosovës.
Që nga qershori i vitit të kaluar, kur është vendosur kjo pagesë, në këtë institucion janë paraqitur 31 raste, raporton KTV.
Për qytetarët, një pagesë e tillë është e papranueshme dhe kufizon mundësinë e pacientëve për t’u ankuar.
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Oda e Mjekëve fillimisht pezullimin e kësaj takse dhe ndryshimin e vendimit, pasi, sipas këtij institucioni, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.
Por, kryetari i Odës së Mjekëve ka thënë se Avokatit të Popullit, brenda afatit ligjor, do t’i kthejë përgjigje, me arsyetimin se taksa e vendosur nuk është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve ka thënë se nga pagesa lirohen të gjitha kategoritë sociale dhe, sipas tij, një praktikë e tillë zbatohet edhe në vendet e zhvilluara evropiane.