Oda e Farmacistëve kundër vendimit të MSh për listën zyrtare të çmimeve për barna

Oda e Farmacistëve kundër vendimit të MSh për listën zyrtare të çmimeve për barna

Oda e Farmacistëve të Kosovës përmes një reagimi publik ka shprehur hapur kundërshtimin me vendimin e Ministrit të Shëndetësisë për listën zyrtare të çmimeve të barnave.

Në reagimin e tyre ata thonë se e kundërshtojnë këtë vendim “për shkak të kundërligjshmërisë dhe detyrimit të barnatoreve për ndërmarrjen e veprimeve të kundërligjshme për vendosjen e çmimit të banderolave në produkte e cila sipas neni 11, paragrafi 6 i Ligjit për çmimin e produkteve medicinale ne ndërlidhje me UA për banderola është detyrim i subjekteve tjera dhe jo barnatoreve”.

Sipas Odës së Farmacistëve “MSH një ditë para implementimit të këtij vendimi, ende nuk ka njoftuar asnjë barnatore për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, duke bërë të pamundur implementimin e këtij procesi të përcaktimit të çmimit të barnave të kërkuara nga ana e farmacistëve tash e 20 vite”.

“OFK tash e disa muaj është duke kërkuar këto sqarime nga MSH rreth implementimit të këtij vendimi, të cilët në asnjë raste nuk janë përgjigjur”.

“OFK rikujton zyrtarët publik dhe institucionet të cilët janë urdhëruar për zbatimin e këtij vendimi se zbatimi i një urdhri qeveritar apo të eprori për të cilën ka qenë në dijeni për kundërligjshmërinë është vepër penale, dhe OFK do të njekë të gjitha rrugët ligjore ndaj tyre për konstatimin e kryerjes së veprës penale ashtu siç përcaktohet me nenin 16 të Kodit Penal të Kosovës”, vijon reagimi.

OFK akuzon MSH për mosbashkëpunim, prandaj ka ftuar të sqarojë publikisht disa veprime:

– Si të veprojnë barnatoret për rreth 1700 produkte të cilat nuk kanë deklaruar çmimin

– Mbi çfarë legjislacioni AKPPM do të bëjë shtypjen e banderolave të stokut aktual të barnatoreve dhe depove, dhe cilat dokumente duhet dorëzuar nga barnatoret meqë legjislacioni aktual nuk e rregullon këtë çështje

– Çfarë të veprohet me stokun aktual – sipas legjislacionit tatimor ku nuk mund të shitet një produkt nën çmimin furnizues apo sipas vendimit të Ministrit

– OFK fton Ministrinë e Shëndetësisë për zgjatjen e periudhës tranzitore për stokun farmaceutik dhe zbatim, derisa të sqarohen dilemat e lartcekura nga farmacistët të cilët dilema e pamundësojnë implementimin e këtij vendimi.

Për të gjitha këto veprime, OFK i është drejtuar Gjykatës me paditë me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi (masa siguruese).

OFK, fton Ministrinë e Shëndetësisë të përmbahet nga veprimet të cilat mund të sjellin në ndërmarrjen e masave të padëshiruara nga ana e farmacistëve dhe barnatorëve për të cilat do të ketë përkrahjen e OFK-së në kundërshtim të paligjshmërisë së vendimit dhe dëmit që i shkaktohet me këtë vendim.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga sot (1 shkurt) do të fillojë së zbatuari vendimi për listën zyrtare të çmimeve të barnave.

Në njoftimin e bërë për media nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se nga ky vendim, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët.

“Ministria e Shëndetësisë ju njofton se po shënohet një hap i rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik, fillimin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të barnave, nga data 1 shkurt 2025. Me këtë po garantojmë rregull dhe transparencë në tregun farmaceutik, në të cilin përfitues më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim

Shpërndaje në: