Obsesioni i Albin Kurtit me prejardhjen e grave: Ajo nga fshati, kjo nga qyteti, gruaja ime nga Norvegjia
Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i njohur për flirtimet e tij të çuditshme me vlera të ndryshme, herë progresive e herë konservatore. Por, fjalimi i tij i djeshëm për znj.Nexhmije Pagarusha i vë kulmin ndarjes së tmerrshme kulturore ende-prezente fshat-qytet në Kosovë.
Kurti është i martuar me një grua nga Norvegjia me emrin Rita Augestad Knudsen, e me të cilën ka edhe një vajzë të vogël me emrin Lea.
Kur ishte martuar me znj.Augestad Knudsen, Kurti kishte ngritur polemika të shumta që në mënyrë patriarkale ia përmendnin parullën e tij të famshme kundër mallrave të importuara nga Serbia “Duaje Tënden”, shkruan Periskopi.
Natyrisht, një kërkesë e tillë ishte krejtësisht e pavend duke qenë se gruaja konceptohej drejtpërdrejtë si një mall megjithëse në tjetrën anë, vetë bindjet politike të z.Kurti kërkonin që ndarja mes privates dhe publikes të mos ekzistonte.
Pra, me fjalë të tjera duhej ekzaminuar shtrirja e filan individit në strukturën sociale e kulturore. Në çfarë banese jetonte, me kënd ishte i martuar, me kënd nuk ishte i martuar, çfarë rroge merrte, e gjëra të ngjashme si në periudhën e Jugosllavisë komuniste.
Përveç kësaj, ekzistojnë dyshime të bazuara se Kurti nuk është aq progresiv sa duhej të ishte një lider i një partie social-demokrate.
Z.Kurti kemi mundur ta shihnim në disa raste të ulur këmbëkryq nëpër oda burrash gjatë tubimeve të tij në vende rurale, e po ashtu ai është kritikuar për mos-pjesëmarrjen e përvitshme në Paradën e Krenarisë në mbështetje të komunitetit LGBTIQ.
Kurti ka prejardhjen nga babai prej fshatit Sokubinë në rrethinën e Ulqinit në Mal të Zi. Siç rrëfente xhaxhai i tij, Hamëz Kurti, kryeministri i ri i Kosovës e kishte kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë së tij në atë fshat.
“S’po them 100 për qind por… këtu, ai ka ardhur herë pas here në pushime. Vëllai [babai i Albin Kurtit] ka insistuar që t’i sjellë fëmijët e tij në fshat.” – kishte thënë ai.
Por, z.Kurti nuk e kishte përmendur asnjëherë fshatin e tij të origjinës duke insistuar – kur i ishte përmendur gabimisht fshati Katërkollë [Vladimir] në vend të fshatit Sokubinë – se ai në të vërtetë ishte i lindur e i rritur në Prishtinë.
Shpërfillja e tillë për fshatin e tij mori një dritë të veçantë gjatë ditës së djeshme, në fjalimin e tij përkujtues për bilbilin e Kosovës, znj.Nexhmije Pagarusha e cila vdiq pardje.
Ai iu referua Pagarushës si një vajzë nga fshati, e më pas edhe si një grua nga fshati që kishte pasuruar kulturën e qytetit, përcjell Periskopi.
“Nexhmija ishte një vajzë nga fshati, larg kryeqytetit ku jetonin e vepronin njerëzit e artit e të kulturës… por, ajo bëhej gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet dhe pasuroi kulturën e qytetit e të mbarë kombit.” – tha dje z.Kurti.
Ai madje në një pjesë të fjalimit, iu referua asaj edhe si “dada Nexhë” duke theksuar më tej origjinën e saj fshatare.
“Nexhmija, Nexhmije Pagarusha, dada Nexhë, ishte bilbil i gëzuar por edhe ca i trishtë.” – deklaroi ai duke qenë krejtësisht i pandjeshëm ndaj grave të tjera nga fshati Pagarushë, apo fshatrat e tjera në Kosovë që mund të kenë ambicie të ngjashme.
Se Kurti e ka një paragjykim të theksuar për fshatin edhe pse jeton në një vend të vogël si Kosova mund ta vërejmë edhe në prezantimin që i bëri znj.Donika Gashi gjatë vitit të kaluar.
“Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase.” – kishte shkruar ai vitin e kaluar.
Pra, në mënyrë të hapur kryeministri i ri i Kosovës e paraqet si vlerë të qenët “qytetare prishtinas” ose thjesht “qytetare”.
Një gjë e tillë mund të jetë mjaft dëshpëruese për shumë gra nga fshatrat e ndryshme në Kosovë që në baza të përditshme përballen me pabarazinë gjinore, dhunën në familje, mundësitë e kufizuara në tregun e punës dhe arsimimin jocilësor, ndër tjerash./Periskopi