O’Brien: Veriu dhe kërcënimet me shkëputje në Bosnjë rrezik primar në rajon, Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj

O’Brien: Veriu dhe kërcënimet me shkëputje në Bosnjë rrezik primar në rajon, Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien ka theksuar se në Ballkanin Perëndimor rrezik përbëjnë “betejat lokale” që kthehen në  konflikt politik e që prekin të gjithë rajonin.

I pyetur nga Tanjug  se si e sheh situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, O’Brien ka theksuar se “rreziku primar është veriu i Kosovës dhe kërcënimi me shkëputje i një pjese të Bosnjë-e Hercegovinës.

“KFOR’i si dhe EUFOR-i , janë aty për të parandaluar bandat e vogla lokale. Kemi bashkëpunim të mirë me Serbinë dhe autoritetet e Kosovës në përpjekje për t’i zgjidhur rreziqet e dhunës në veri dhe mendoj se kemi një shans për procese politike që do të adresojnë shkaqet e dhunës”, tha O’Brien.

Mediumi serb ka pyetur diplomatin amerikan se “pse Kosovës  i lejohet të blejë dronë kur sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së e vetmja forcë e armatosur që lejohet të operojë në Kosovë është KFOR-i”, e O’Brien thotë se Rezoluta 1244 krijoi  një proces për të diskutuar për të ardhmen e Kosvës.

“Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa rrezikuar fqinjët e saj. Në përgjithësi, është një hap përpara drejt stabilitetit në rajon dhe për këtë do të ketë mbështetjen e SHBA-së,” tha O’ Brien.

Duke komentuar rreth bllokadës së dialogut dhe takimeve të fundit në Bruksel ( takimi Kurti -Vuciq s’ndodhi), dhe Asociacionit, O’Brien thotë se është e qartë se SHBA-të mbështesin formimin e Asociacionit.

“Unë mendoj se janë rreth 400 asociacione në të gjithë Evropën dhe ky do të ishte ai model. Përsa i përket avancimit të dialogut, ne kemi mjete të tjera, siç është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon forcimin e bashkëpunimit siç është lëvizja e njerëzve, mallrave dhe gjërave të tjera praktike, mendoj se kjo është gjëja kryesore që ne po fokusohemi në detajet që lidhen me dialogun, por në një rajon me 18 milionë banorë, ne duhet të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar dhe për t’u ofruar njerëzve një gjë më të mirë. Kjo duhet të zgjidhë disa nga tensionet”, tha O’Brien.

Duke folur për praninë e ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq në darkën e organizuar nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken gjatë samitit të NATO-s, si dhe bashkëpunimin me Serbinë, O’Brien thekson se SHBA-të janë shumë të kënaqura me bashkëpunimin se Serbia ka marrë rrugën e saj drejt forcimit të forcave të saj të armatosura, por që SHBA beson se bashkëpunimi në fushën e  sigurisë mund të kontribuojë në stabilitetin në rajon duke rritur transparencën dhe duke u siguruar që të mos ketë befasi nga formacionet paraushtarake dhe ushtarake.

“Pra, ne jemi të inkurajuar nga kjo dhe ne mirëpresim Ministrin e Punëve të Jashtme i cili është këtu këtë javë. Mendoj se bashkëpunimi, mbështetja për Ukrainën është me rëndësi jetike. Ukraina qëndron për parimin bazë të integritetit territorial. Unë e di që presidenti Vuçiç flet në lidhje me këtë parim, ne nuk pajtohemi për disa nga aplikimet e tij, por në këtë kontekst, ajo që Serbia po bën duke vënë në dispozicion armët e saj duke ndihmuar Ukrainën të luftojë për një parim bazë të së drejtës ndërkombëtare, ne e mirëpresim atë”, tha O’Brien.

Shpërndaje në: