“O shikofc i bradashit”- Deputeti i Vetëvendosjes e kërcënon një qytetar në mes të rrugës, Prokurori i Shtetit nis hetimet
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është denoncuar të mërkurën për kanosje nga një qytetar në Prishtinë. Për rastin tashmë është iniciuar rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kanë nisur hetimet, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, hetimi për të zbardhur këtë rast ka nisur si rezultat i denoncimit nga ana e viktimës (emër i njohur për redaksinë), i cili e ka raportuar deputetin Muja dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima po pretendon se Armend Muja e ka ndalur në rrugë të mërkurën pasdite, në rrugën “Ndue Përleshi” dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese.
Sipas dëshmisë së tij, të dhënë para hetuesve policorë, Muja i ka thënë viktimës “A je ti… (emri dhe mbiemri që s’do t’i publikohet për momentin), o shikofc i bradashit, do ta shohësh kush jam unë”, thonë tutje të njëjtat burime.
Viktima ka deklaruar se është ndier i kërcënuar nga deputeti Muja, prandaj ka vendosur që ta njoftojë Policinë e Kosovës.
Pasi janë marrë informacionet e para për rastin, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Kanosje” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.