Numri si postulat i vetërefueruar e zhvleftësues në provincën e fisnorisë dhe kapitalizmit
Ku i ka rrënjët tortura “a i keni numrat” ? Në vetë kulturën tonë. Në shoqërinë në tentativë. Në shoqërinë/kombin që kurrë nuk u bë. Në provincën prej shumësi familjesh të përçara që nëse ia doli mbanë ndonjëherë politikisht ia doli vetëm përmes armës së saj të vetme: pranisë. Në dasmorë, numri i të cilëve flet për takatin e familjes. Familjes kësaj kumtuese të pranisë shqiptare. Prani dhe numër. Sot, të ballafaquar me atomizimin e hovshëm të pasluftës dhe sfilitjen për të mos dalë nga e vjetra – meqë horizonti i ngushtuar gozhdon krijimtaren – buçet prania e vobekësisë. Prania përlëvdohet si autoktoni e qëndrestari. Lavdi i mbretthëve të lagjeve e paralagjeve sundon publiken e pabërë qytetare teksa racionalizon modelin e varfanjakut mendor si trademark-un e vetëm për jetesë në këtë vend.
Të mishëruar me numrin. Jemi shumicë. Jemi 90% shqiptarë. Jemi 95% myslimanë. Natyrisht me 90 e 95% mendohet në burra, sepse gruaja nuk është e denjë për tu parë as numër. Jemi 2/3-tat. Familjarë të ndarë në grupin me të cilët “mundesh” dhe me të cilët “s’mundesh”, por pa u tejkaluar familja. Dhe asnjëherë buçitje që mund të jesh shumicë që si vyen kujt gjë.
Universitete me parolla “aty ku jeni emër e jo numër”, e ku në fakt është pikërisht e dyta është ajo që ndodh astronomikisht. Biznese të emërtuara me numrin e vëllezërve. Gjithçka numër, e numrit, për numrin, në shërbim të numrit. Madje pyetjet, “a jeni tanë?” “a jeni n’numër” të formacionit fisnor – në imanencë ngërthejnë pyetjen a u zgjove gjallë? Pra përkufizimin hiedeggerian për “njeriun si qenie drejt vdekjes”. Nëse je numër i gjallë, llogaritësh. Nuk respektohesh, llogaritësh. Madje edhe vdekja është numër. Ai që ka humbur 5 anëtarë në luftë duhet të heshtë përballë atij që ka humbur 50. Atij që s’i është vrarë ndokush vështirë të mund të ketë të thotë diçka.
A s’e vreni? A nuk është kjo ajo që i dikton tërë ata lapidarë karikaturesk, numrin e veteranëve, gadishmërinë për vjedhur vota. Të gjitha. Krahu pra. Inkarnimi i fuqisë individuale a grupore të fisnorit a fisit. Metafora e krahut pushteton me praninë e qenies së qenies, aty ku realizohet edhe aktualizohet qenësori dhe në orbitën e së cilës mund të ketë subjektifikim fuqie, por jo racioje. I gjallë njeriu nuk respektohet – i vdekur llogaritet që me emrin a lapidarian e tij mund të bësh emër. Vjedhja e votes nuk bëhet nga konsiderata për atë për të cilin vjedhet vota, por për llogari meskine.
Ngjan e kundërta e premimit modern. Dominon krahu. “Ai ka krah”, “ata kanë krah”. D.t.th, ai nuk vije vet. “Vijnë tok”. E me një rrëmihje të vogël në shqipe, duket se “tok” na del nga “tog”, pra grupim i togjeve luftarake. Pra mbërritje e qenies jo nga ishulli i racionales, por nga ai i militares. “Krahu” këtu shenjon një abstragim pjesërisht jo lëndor të qelizave që në trupin e njeriut përbëjnë krahërorin. Por jo cilido krah. Sepse mund të ketë krah edhe të hamallit. Jojo këtu është fjala për vëllimmadh e mbulonjës të një njeriu të madh. Ashiqare imazh i një pehlivani muskuloz që ekziston si real, por edhe si ideal. Jo rastësisht kjo shoqëri ka përlëvduar e ka yshtur sportet luftarake. Madje sukseset e vetme i ka në to.
Krejt kjo traditë e poshtër e zënë në shpjegim neoliberal që do pikërisht numra. Do arrogancë, pa le të jetë edhe tirani numrash, vetëm se e dëgjueshme dhe e mpakur nga revolta. Një martesë krejt e lumtur e fisnorisë provinciale me të kaluar të dhunshme nën survejim e spiunim, me të kaluar në veprimtari ilegale (e që edhe po të kishte jetuar në liri, provinca për kah vetë natyra do e skaliste në shpoti) – me kapitalizmin e sotëm vulgar. Pse çka janë soji e sorrollopi Buzhala, Milaim Zeka & Co tjetër pos se një davaritje e provincialit të mishëruar në shpoti e dredhi mëhallash kah zgjatimi në tyxharë të Prishtinës? Kurrgjë.
Është ky pasplani që mesatarit kosovar ia dikton përditshmërinë. “A i bani PAN-i numrat” mund të jetë krejt e pavlerë për apartiakun (apo/edhe apolitikun!) e mbytur në kredi deri në ditën kur ta kuptojë se ardhmëria e tij në këtë vend s’mund të imagjinohet të paktën pa anim e votë për krimin. Kësodore mes kredisë së tij në bankë dhe politikës zbardhet një lidhkë garance: “shoqëria me njerëz të K. , ose R. (vetë njerëzit e K. dhe R. janë numra) nga PAN-i mund të ndikoj të paktën në përmirësimin e jetës sime. Apoe/dhe lidhja me biznesin e fortë me emër numrin e vëllezërve.
Ndjesia e të hyrit në klasë të një mësuese të ciklit të ultë sot është poashtu ndjesi e numrit. Ajo aty diku kah klasa e dytë apo e tretë , nisë të dalloj mes nxënësish, me fjalë tjera që në secilën klasë të shkoj vetëm për hatrin e 4-5, më së shumti 7 nxënësve. Të tjerët janë numër dhe nisin t’i japin shenjat e para se janë të pashpresë. Numër, si emërtimi i biznesit me numër vëllezërish, si kalimet në parti, si studentët e pranuar pa kurrfarë kriteri, si klikimet në youtube a të portaleve. Dhe ky cikël ripërsëritet. Që nga bankat shkollore deri në Kuvend, shkollim, biznes, media e politikë i jehojnë numrit. Prandaj edhe numri nuk po kërkohet të shpiket, por të gjindet i fshehur mes nesh. Ai është çdoherë me ne.