“Nuk u refuzuan për shkak të simboleve” – Kryetari i Federates së Shahut tregon se cili është problemi me Indinë
Sportistët kosovarë po hasin në shumë vështirësi kur konkurrenjë në garat jashtë vendit.
Në disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, sportistëve tanë ose u mohohet pjesëmarrja shkaku i vizës, ose lejohen të marrin pjesë, por me kushte dhe jo të barabartë me kolegët e tyre të vendeve të tjera, shkruan Periskopi.
Në mediat vendore gjatë ditës u tha se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Olimpiadën e Shahut që po mbahet për herë të parë në Indi.
U raportua se India nuk ka lejuar që ekipi i Shahut nga Kosova të paraqitet me simbolet shtetërore.
Por, një gjë të tillë e hedh poshtë kryetari i Federatës së Shahut në Kosovë, Armend Budima.
I kontaktuar nga Periskopi, Budima tha se një informacion të tillë nuk e kanë për paraqitjen pasimbolet shtetërore, por që kanë hasur në probleme me vizë.
“Ne marim pjesë në të gjitha ngjarjet sportive me të drejta të plota që do të thotë me simbole shtetërore. Ne kemi pas problem me viza të cilat na kanë refuzuar në Ambasaden indiane në Beograd, mirëpo me këshillin organizativ të Olimpiadës dhe intervenimin e Qeverisë Indiane e kemi premtimin se do të pajisemi me viza në Ambasaden e tyre në Stamboll në rrugë për në Indi”, tha fillimisht kryetari i FSHK-së.
Kryetari tutje tha se në lidhje me problemin me viza është njoftuar edhe Ministria e Kulturisë, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.
“Lidhur me këtë çështje e kemi informuar Ministrinë për Kulturë dhe Sport dhe e kemi marr ndihmën e nevojshme sepse janë aktivizuar edhe mekanizmat tjerë si Ambasadori i Kosovës i cili e mbulon pjesën e Azisë”, vazhdoi tutje ai.
Ai gjithashtu tha se FSHK do të marr masa ndaj Federatës Indiane nëse nuk lejohet që Kosova të garojë si gjithë shtetet e tjera pjesmarrëse.
“Ne nuk kemi pranuar asnjë lajm deri tani se nuk mundemi të paraqitemi me simbolet shtetërore? Nëse rastësisht ndodh atëherë konsekuencat do të jenë të mëdha për Federaten Indiane, prandaj të ndodh kjo situatë është shumë vështirë. Ne do të sillemi sipas situatës dhe do të veprojmë sipas intersave tanë nëse arrijm në Indi”, përfundoi Budima.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën sportistët kosovarë kanë hasur në probleme kur garat janë mbajtur në Indi.
Boksieres, Donjeta Sadiku madje i ishte mohuar pjesëmarrja në Kampionat Botëror pasi nuk i ishte dhënë viza.
Gjithashtu, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka paralajmëruar shtetet organizatore që të mos bëjnë diskriminime dhe dallime tek sportistët, duke i kërcënuar madje ato që do t’ua mohojë të drejtën e organizimit të ngjarjeve të rëndësishme sportive./Periskopi/