Sveçla i jep edhe 356 mijë € kompanisë së oligarkut nga Shqipëria, ndonëse oferta ishte për 25 mijë € më e shtrenjtë (Dokument)

Sveçla i jep edhe 356 mijë € kompanisë së oligarkut nga Shqipëria, ndonëse oferta ishte për 25 mijë € më e shtrenjtë (Dokument)

Një tender në vlerë prej 15 milionë €, të cilin ia kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, kompanisë ‘Infosoft System’ të oligarkut nga Shqipëria, Grigor Joti, ishte denoncuar disa herë sivjet nga opozita kosovare.

Kjo për faktin se kontrata ishte e negociuar dhe ishte shumë më e shtrenjtë se kompanitë tjera që kishin ofertuar.

Madje deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në Kuvendin e Kosovës pati deklaruar muaj me parë se Ministria Sveçlës ka refuzuar një kompani për t’i dhënë 9.7 milionë euro një tender për shërbime të IT-së, për të shkuar me kontratë të negociuar me një kompani tjetër e për t’i dhënë kësaj 15 milionë euro tender, përkatësisht kompanisë së oligarkut Joti.

Kritikat e opozitës për tenderë të negociuar dhe me çmim dukshëm më të lartë si duket nuk i kanë bërë përshtypje ministrit Sveçla, pasi që në bazë të dokumenteve të siguruara nga Front Online shihet se në tenderin: “Ngritja e Kapaciteteve për Qendrën e të dhënave Shtetërore” MBP-ja sërish ka zgjedhur kompaninë e Grigor Jotit nga Shqipëria, ndonëse në garë ka qenë edhe një kompani tjetër me emrin: Virtuo O.P, e cila kishte çmim më të lirë (për rreth 25 mijë €), por Ministria që drejtohet nga Sveçla e ka eliminuar nga gara.Kompania nga Kosova, e cila kishte ofertuar me një çmim prej 331 mijë euro, bazuar në ligjet në fuqi ka kërkuar qasje në dokumentet e kompanisë së shpallur si fituese e tenderit, por ministria e Punëve të Brendshme në kundërshtim me ligjin ka refuzuar kërkesën, duke mos i lejuar kompanisë Virtuo O.P të ketë qasje në dokumentet e kompanisë “Infosoft System”, raporton Front Online.

Përndryshe, ky nuk është tenderi  i parë që kompania e biznesmenit Joti e merrë nga Qeveria e Kosovës, për të cilin mediat më parë kanë raportuar se i njëjti dyshohet se ka mashtruar shtetin Shqiptar përmes faturave fiktive në vlere prej më shumë se 4,5 milionë euro.

Kohë më parë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, kishte kontraktuar rreth 15 milionë euro për furnizim me disa licensa të Microsoft-it.

Por, pavarësisht këtyre ofertave në shtetin Shqiptar, kompania e tij në Kosovës edhe më tutje vazhdon të marrë tender shumë të rëndësishëm në ministrinë që drejtohet nga Xhelal Sveçla.

Për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, por as pas pesë ditësh pritje nga ata nuk ka arritur të marrë përgjigje.

E në anën tjetër Arita Tahiri nga kompania Virtuo O.P tregon se kompania e tyre ka aplikuar në proces prokurimi, kanë pasur ofertën më të lirë në raport me kompaninë tjetër, për rreth 25 mijë euro, por nuk janë shpërblyer me tender nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Ajo më tutje tregon se për këtë padrejtësi që iu është bërë janë ankuar në

Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk iu është lejuar qasja në ofertën e kompanisë së shpërblyer me tender.

“Jemi ankuar në Autoritetin Kontraktues dhe nuk na është lejuar të kemi qasje në ofertën e OE fitues. Kemi dërguar kërkesë për rishqyrtim në Autoritetin Kontraktues, por se nuk na është lejuar, pra nuk kemi pas qasje ne ofertën e OE fitues sipas kërkesës së kërkuar. Për ketë arsye edhe nuk e kemi vazhduar ankesën ne OSHP, për faktin qe nuk kemi pas mundësi ti faktojmë kërkesat tona” ka thënë.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovës shihet se  Infosoft System udhëhiqet nga Ajri Shej, që ka 52.5 % të aksioneve dhe Invesment Joti Infosoft, me pronar Grigor Joti, që zotëron 47.5 % të tyre.

Pronari i kompanisë Infosoft, Grigor Joti, që përfitoi mbi 15 milionë euro nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti akuzohet për mashtrime pikërisht në fushën e prokurimit publik në Shqipëri.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kishte ngritur kallëzim penal në vitin 2022 ndaj tij. Aty thuhej se Grigor Joti ka përvetësuar 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.

Këto fatura ishin lëshuar nga dy bizneset fantazmë, “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION ” të Grigor Jotit.

Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i dyshohet se ia kishin vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës kishte konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Roland Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse.

Faturat ishin lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH, raportojnë mediet shqiptare.

Joti i pati shpëtuar në mënyrë të pakuptueshme kallëzimit të KLSH-së për falsifikim faturash. Gjykata e Tiranës nuk e çoi rastin në Dhomë Penale për fillim procedure gjykimi.

Biznesmeni Joti aksionet e firmës Infosoft ia pati kaluar Frederik Prodanit dhe Gëzim Dobit.

Kjo lëvizje, sipas mediave shqiptare, u bë për të fshehur gjurmët.

Gjithsesi në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ai vazhdon të jetë anëtar bordi në këtë firmë. Kjo do të thotë se Joti është drejtuesi dhe mbikëqyrësi kryesor i këtyre operacioneve financiare./ Front Online /

Shpërndaje në: