Nuk pranoj të masakrohem!

Nuk pranoj të masakrohem!

Pardje, një gazetar nga Tetova kishte kërkuar masakër për neve që punojmë në Periskop (plus për gazetarët e një portali tjetër).

Me fyerje e mosdurim na quante ‘gazeparucë’, një lidhje fjalësh që jep të kuptosh se jemi edhe të shitur. Ai donte që ne të vriteshim shkaku i drejtësisë jofunksionale – e cila sipas tij – do të na dënonte për shpifje. Ti shpif, unë të vras! Kështu e thoshte me fjalë. E megjithatë, kishte njerëz si Nezir Kraki, që u munduan ta justifikonin. Pse? Sepse mosduruesi që lypte masakër i servilohej nëpër komente. E edhe Kraki, njësoj si plot të tjerë, nuk duket që i ka internalizuar do vlera mbi të cilat ai dhe grupi i përmendur shesin ‘pordha’ gjithë ditën e lume. Zor të jetosh me parime edhe në përditshmëri. T’i heqësh prej vetes elementet shtypëse. Kollaj ta shohësh veten si të shypur. E pastaj, të sulmosh njerëz që janë ‘në fund të pusit’ në këtë treg pune.

Por se çka kishim shpifur, një zot e di! Gazetari në fjalë e kishte shpërndarë bashkë me tekstin një lajm të një portali tjetër i cili përnjëmend ishte tendencioz dhe i papranueshëm.

Nuk dua dhe nuk mund ta mbrojë gazetarinë që bëhet nëpër portale. As në portalin ku punoj. Ka shumë të meta. Takati i dobët financiar, puna intenzive e e çorganizuar si dhe redaktorët e dobët. Por, kush janë redaktorët? Lexuesit. Portali është biznes që e komercializon lajmin. Ky nuk është zbulim i bërë në Kosovë. Klikueshmëria bëhet kriteri më i rëndësishëm për vlerësimin dhe shkrimin e një artikulli.

Ta zëmë, e përkthen një artikull të mirë nga një medium ndërkombëtar ose e bën një hulumtim analitik mbi udhëzimet administrative të MASHT-it, por kur hyn në aletin që tregon se sa njerëz e lexojnë, dëshpërohesh! “Kurrë më!” i pëshpërit vetes. Edhe ata që e mbajnë veten për deridikund-të-ngritur janë krejt të çinteresuar për artikuj përmbajtësor dhe tepër të interesuar për artikuj provokues! I duan këta artikuj qoftë edhe për t’i dhënë ledhë egos së tyre, për t’i sharë më pas! Hipokrizi e tmerrshme! E ne që e shohim atë alet që tregon se çka lexojnë këta njerëz, përditë i mbyllim sytë ndaj kësaj hipokrizie. Lexuesit s’ia rrokë që gazetari e di se çka ai klikon e lexon. Se çka kërkon të lexojë e e cila është në shpërputhje drastike me atë që ai deklaron se kërkon të lexojë!

A jemi të shitur? Brenda portalit ka njerëz me qëndrime të ndryshme politike. Ka njerëz edhe pa bindje politike. Ekziston një atmosferë e mirë pune. Të gjithë ne jemi paksa të lodhur, duam të angazhohemi më përmbajtësisht. Por, jemi në qorrsokak. Redaktorët tanë, dmth lexuesit, na kanë lidhur me vargonjtë e dëshirave të tyre. Që të bësh diçka seriozisht cilësore vyen shumë kohë – e e cila është luks i gazetave që marrin donacione ose që janë përnjëmend të shitura.

Sa i përket bindjeve politike, unë për vete jam ashiqare kundër pushtetit. Jam ashiqare kundër ndryshimit të kufijve. Mburrem se kam refuzuar të punoj për pushtetin me rrogë tri herë më të madhe se në portal. E kam mbështetur Albin Kurtin gjatë kohës sa po përçahej Lëvizja Vetëvendosje. Hapur madje. E sot s’e di nëse kam bërë mirë – duke qenë se moderimi në diskurs dhe ndalja e ligjërimit nuk ka ndodhur brenda asaj partie që ofronte shpresë edhe për mua personalisht se do të vinin ditë më të mira. Edhe për plot të afërm, të papunë ose me punë skllavëruese. Për 190 euro njëri punon në një kompani që e detyron të punojë deri në 12 orë në ditë.

Sidoqoftë, nuk pranoj të më shkilet dinjiteti meqë s’kam bërë e s’po bëj asgjë të keqe. Nuk pranoj as të masakrohem! As diskursivisht madje! Dhe poashtu, nuk pranoj leksione morale nga njerëz që marrin rrogë tri herë më të lartë, e që janë njëqindfish më pak të shtypur se unë! Nga njerëz që përgojojnë të tjerët. Që me mendjet dembele e gojët plot vrer nxjerrin në shesh dëshira meskine.

Veç kësaj, të jesh në mënyrë jokritike në një krah politik të bën qenie meskine. Veç pse je i rreshtuar kundër pushtetit nuk nënkupton se nuk je i poshtër, se nuk je i ligë e dembel. Biles, nëse je i rreshtuar në mënyrë jokritike kundër pushtetit, veç me frustrim, kjo të bën të dyshimtë! Çka nëse je aty, veç pse nuk ke pasur vend në skemën gjigante e të korruptuar të prodhimit që e ka ndërtuar pushteti? Çka nëse je kundër tyre, veç pse ke qenë dobësirë qoftë edhe për të qenë me ta e për të përfituar? Domethënë, nëse ke qenë servil më i dobët mes servilësh tjerë?

Bindja ime është se i poshtër mund të bëhet edhe një njeri me zemër të mirë por i cili është dembel për t’i konfirmuar të dhënat dhe dembel për të menduar. Besoj naivisht në racionalizmin etik të Sokratit! Por, naiviteti është armë e mirë me raste kundër një realiteti të gërditshëm! Rrena në thelbin e saj është armë e rebelit. E atij që s’e pranon atë që pushteti e ka shpallur si të vërtetë e realitet të pamohueshme.

Mos i lexoni gjërat që deklaroni se nuk i lexoni! Mos i klikoni! Ndërkohë, mundohuni që seriozisht t’i lexoni gjërat që deklaroni se i lexoni. Kësisoj, do të ngritej cilësia!

Gazetat online (me përjashtim të atyre që kanë miliona të ardhura) nuk mund t’iu ndryshojnë. Nëse e provojnë, do të mbyllen. E gazetarët do të masakroheshin në përditshmëri nga papunësia siç po masakrohen nga mënyra se si po i angazhoni.

Ama, ne nuk meritojmë të masakrohemi. Ne (po e fus veten këtu ani që nuk jam gazetar me profesion) meritojmë punë më përmbushëse!

 

Shpërndaje në: