Nuk përjashtohen protestat e grevat në arsim, SBAShK’u thotë se mllefi nga mospërmbushja e kërkesave po rritet
Kërkesat e mësimdhënësve pas grevave e protestave qëorganizuan, nuk morën përgjigje asnjëherë nga qeveria.
Ndërkohë greva në arsim mund të përsëritet. Pos saj edhe protestat.
Mundësinë për to gjatë mesit të shtatorit nuk e ka përjashtuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
“Mllefi po rritet dhe nuk kemi asnjë sinjal se diçka do të ndryshojë. Ne kemi tentuar vazhdimisht të kemi kontakte me zonjën Nagavci, por ajo i ka shmangur ato. Madje kemi bërë edhe kërkesa me shkrim, por kemi marrë përgjigje të njëjtë, duke thënë se gjoja ajo nuk ka kohë. Si kryetar, kam dëgjuar se ajo vazhdon të mbajë inatin e grevës së vitit 2022, dhe kjo është shumë e keqe. Kur nuk ka dialog, nuk kam çfarë të them anëtarësisë, dhe kjo rrit mllefin dhe pakënaqësinë, duke e bërë të mundshme që në Shtator të kemi veprime sindikale”, deklaroi Jasharaj.
Të arsyeshme kërkesat e SBASHK-ut i konsideron edhe njohësi i arsimit, Argjend Osmani.
“Padyshim që organizimi i grevës do të çrregulloj procesin mësimor dhe nuk është një zgjidhje e duhur andaj duhet të bëhen të gjitha parakushtet që të mos ndodh një gjë e tillë. “,tha Osmani.
Protesta e fundit që u mbajt nga SBASHK-u ishte nëmuajin maj të këtij viti ku u paraqiten 11 kërkesa.
Mësimdhënësit kanë kërkuar dialog social për plotësimin e kërkesave të tyre, përmirësim të kushteve të punës në institucionet arsimore, Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimitdhe ndër të tjera rritjen e vlerës së koeficientit të pagave për së paku 30%.