Nuk ishte dëbim, ishte kidnapim

Periskopi.com Intervista

6 shtetas turq, që punonin në institucionet gyleniste arsimore në Kosovë, u arrestuan dhe dëbuan nga autoritetet kosovare para një jave. Siç është kuptuar deri tani, dëbimi i tyre është kryer në bashkëpunim ndërmjet inteligjencës kosovare dhe asaj turke, me kërkesën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Deri tani ka mbetur e paqartë se cili nga liderët vendorë dha urdhër që të bëhet dëbimi i tyre, mirëpo është presidenti Hashim Thaçi i vetmi që ka shprehur njëfarë pajtimi për veprimin, duke marrë po ashtu falënderime nga Erdogan për bashkëpunimin.

Ndërkaq, kryeministri dhe kryetari i parlamentit kanë shprehur haptazi kundërshtimin ndaj dëbimit të tyre, duke thënë se i gjithë aksioni, deri në përfundimi e tij ishte mbajtur i fshehtë.

Periskopi ka intervistuar drejtorin e kolegjit “Mehmet Akif”, Nazmi Ulus, i cili e ka quajtur kidnapim nga ana turke dëbimin e tyre. Ulus, duke folur për Periskopin, ka thënë se jeta e tyre në Turqi nuk është e sigurt.

Për Periskopin, ai ka thënë se ndaj 6 punonjësve të institucionit arsimor që ai drejton, është përdorur elektroshoku në avionin që i ka transportuar drejt Turqisë.

Ndër tjerash, ai ka folur edhe për ditën e arrestimit, përjetimin e bashkëpunëtorëve dhe familjarëve, raportimet mediale mbi arsyet e dëbimit, për të ardhmen e institucioneve gyleniste arsimore në Kosovë, etj.

Intervista e plotë:

Periskopi: Zoti Ulus, faleminderit që pranuat intervistën me portalin Periskopi.

Ulus: Është kënaqësia ime zoti Shpend. Jeni i mirëserardhur këtu.

Periskopi: Si pyetje e parë… si e komentoni gjithçka që ndodhi, pas deportimit të 6 shtetasve turq, të cilët ishin punëtorë të institucionit tuaj arsimor “Mehmet Akif College”?

Ulus: Ata njerëz nuk janë të deportuar. Në të vërtetë ata janë kidnapuar nga Shërbimi Inteligjent i Turqisë nga këtu. Po, pesë veta të stafit tonë, punonin në institucionin tonë, në institucionin e edukimit Gylistan dhe njëri prej tyre ishte doktor i famshëm në Turqi. Ata janë arrestuar nga forcat policore këtu, por i janë dorëzuar agjencisë për inteligjencë të Turqisë. Po, jemi të brengosur për jetët e tyre, për shëndetin e tyre. Jemi vërtetë të brengosur për çfarë mund t’u ndodh atyre, për atë që i pret në të ardhmen. E dini… nëse jeni i burgosur në Turqi, nuk ka garanci se jeta juaj është e sigurt.

Periskopi: A keni pasur ndonjë kontakt me ta deri tani?

Ulus: Po, jo personalisht deri tani, por familjarët e tyre dhe avokatët, ia kanë dalë që të kontaktojnë me ta, kanë pasur rast edhe të takohen me ta. Kjo është vërtet befasuese për ne, sepse në Turqi është gjendje emergjence pas tentimit për grushtshtet që duket se do të zgjasë për një kohë të gjatë. Është goxha e pamundur që të vizitosh të afërmit tu, të takosh të afërmit tu që janë nën arrest. Është e çuditshme se si avokatët e tyre ia kanë dalë të kontaktojnë me ta.

Periskopi: Si po trajtohen ata? Çfarë thonë ata deri tani?

Ulus: Sipas asaj që na kanë thënë avokatët e tyre, kur u janë dorëzuar shërbimit inteligjent të Turqisë këtu, gjatë fluturimit për në Turqi i kishin duart e lidhura, po ashtu edhe këmbët, ndërsa kokat i kishin të mbuluara. Kjo është një procedurë normale për kriminelët që konsiderohen terroristë nga regjimi i Erdoganit. Një nga avokatët e tyre na ka treguar se ndaj tyre është përdorur elektroshoku. Pasi që kanë arritur në aeroportin ndërkombëtar “Sabiha Gökçen” në Turqi, sipas informacioneve që kemi, janë me shëndet të mirë deri tani, por gjatë udhëtimit drejt Turqisë, mund të themi se nuk ishte udhëtim i lehtë për ta.

Periskopi: Janë mbajtur disa protesta në Prishtinë.. nga njerëzit tuaj?

Ulus: Një përmirësim: Ne nuk i kemi organizuar këto protesta. Studentët, të diplomuarit dhe prindërit e tyre i kanë organizuar. Nuk kemi bërë ndonjë presion mbi ta. Ata i kanë organizuar dhe na kanë ftuar edhe neve. Na kanë bërë të lumtur dhe mburremi me studentët, të diplomuarit dhe prindërit e tyre.

Periskopi: Si e shihni ju bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës, siç është Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës, me shërbimet inteligjente turke për deportimin e tyre, edhe pse nuk është ende e qartë se si ndodhi e gjithë kjo, kush e dha urdhrin dhe gjithçka tjetër?

Ulus: Po, nuk është e qartë se kush në Kosovë e organizoi këtë, kush e ndihmoi agjencinë turke për të operuar, por do të doja që një operacion i tillë të mos ishte ndërmarrë këtu, sepse deri tani ne kemi besuar në demokraci dhe autoritetet kosovare dhe se jemi të sigurt këtu, dhe ende duam të besojmë në këtë, dëshirojmë ta mbajmë ende atë besim, por është e dukshme se agjentët turq janë ndihmuar nga disa institucione këtu. Por nuk mund të flas me emra këtu, s’mund ta fajësoj dikë për këtë çështje, por është gjithçka e dukshme.

Periskopi: Ndërkohë, asnjë arsye nuk është dhënë për deportimin e tyre. Në media është raportuar se ata janë të dyshmitë për disa gjëra.

Ulus:  Po, por një procedurë normale për dikë që është i dyshimtë nuk funksionoi në këtë rast. Të gjithë miqtë tanë kanë jetuar këtu për shumë vite. Nëse do të ishin fajtorë, do të duhej të gjykoheshin këtu, sipas ligjeve të Kosovës. Nëse do të dëshmohej fajësia e tyre do të shkonin në burg, do të dënoheshin, është normale. Por të dërgohen në Turqi, kundër ligjeve dhe Kushtetutës, është e padrejtë.

Periskopi: Pra nuk u besoni të gjitha këtyre raportimeve jozyrtare që thonë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka përpiluar raporte që thonë se të deportuarit po përgatisnin sulme terroriste?

Ulus: Them se të gjithë të dyshuarit do të duhej të gjykoheshin këtu. Mund të jenë të vërteta ose jo. Ne nuk e dimë saktësisht se për çfarë fajësohen ata. Unë besoj se ata nuk janë fajtorë për ndonjë gjë. Nuk ka asnjë problem për qëndrimin e tyre këtu, për lejeqëndrimin e tyre, apo  çkadoqoftë, megjithatë, tek e fundit ata do të duhej të gjykoheshin këtu. Ata nuk iu nënshtruan një procedure normale. Ka procedura tjera për ekstradim apo deportim, apo për anulim të lejeqëndrimit. Asnjë prej këtyre procedurave nuk ka funksionuar në këtë rast.

Periskopi: A ishit në shkollë kur u arrestuan ata?

Ulus: Po. Në mengjesin e së enjtes kur ata u arrestuan, kur kjo gjë ndodhi, ne ishim në shkollë. Yusuf Karabina, zëvendëspresidenti i institucionit tonë Gylistan… makina e tij është ndaluar nga Policia… me siguri i keni parë pamjet nga kamerat… familja e tij, gruaja dhe djali i tij janë sulmuar nga Policia dhe janë tërhequr dhunshëm nga Policia. Ajo, burri i saj dhe vajza e tyre, janë sulmuar dhe janë tërhequr me forcë nga Policia. Ishte ngjarja e parë nga e cila kuptuam për këtë gjë. Ndërkohë, dega jonë në Gjakovë është ‘vizituar’, po them vizituar nga Policia dhe tre veta të stafit tonë, drejtori i shkollës, kimisti dhe biologjisti i shkollës, Hasan Hysen bej dhe Cihen Ozkan bej, janë arrestuar në sytë e studentëve, përderisa studentët ishin ende në shkollë. Ata janë arrestuarnë para syve të tyre. Rreth orës 09:30, Osman Karakya ishte në marrë në shtëpinë e tij dhe ishte dërguar në aeroport.  Kur mësuam për tërë këto ndodhi, drejtori ynë i përgjithshëm dhe këshilltari ynë lokal nga këtu, shkuan për të vizituar ata në Stacionin e Policisë në Prishtinë dhe Mustafa Erden bej, është arrestuar para stacionit të Policisë, kur kishte shkuar të pyes se çfarë po ndodh.

Periskopi: A mund të na tregoni se çfarë prezanton institucioni juaj? Njerëzit ju kanë etiketuar juve dhe stafin tuaj që punon këtu si gylenistë. Çfarë prezantojnë institucionet gyleniste?

Ulus: Po. Nga tash, e kemi këtë etiketë, që është gylenistë. Të jesh gylenist nuk është krim, kjo është gjëja e parë që më duhet ta them lidhur më këtë çështje. Zoti Fetullah Gylen, është një person vërtet i çmuar, një turk i çmuar. Mund të them se idetë dhe mendimet e tij janë të rëndësishme për ne dhe personalisht jam thellësisht i ndikuar nga idetë e tij. Por kjo nuk më bën mua gylenist dhe të qenurit gylenist nuk është njëjtë sikurse të jesh terrorist, sepse asnjë prej tyre në të gjithë botën nuk ka asnjë armë dhe kurrë nuk kanë përdorur armë për të kryer një krim. Dhe nuk është me rëndësi nëse Erdogani thotë se ata janë terroristë. Mund të them me siguri se ne nuk jemi terroristë.

Periskopi: Në media raportohet se të arrestuarit kishin miliona euro qarkullime në banka dhe se organizata juaj mbështet organizata joqeveritare, parti politike, media etj. A është kjo e vërtetë dhe nëse është, cili është qëllimi?

Ulus: Nëse e fajëson dikë, dhe nëse e fajëson një institucion për diçka duhet të kesh dëshmi për atë dhe unë nuk mund ta dëshmojë se nuk jam fajtor. Nëse më fajëson se jam fajtor, duhe ta dëshmosh. Kjo është traditë e mediave turke dhe lajmet e tyre duket se bëhen copy-paste nga mediat këtu. Mund të them se këto janë lajme të marra copy-paste. Kontabiliteti ynë, sistemi ynë financiar është i hapur për çdo lloj kontrolli dhe avokatët tanë në Kosovë kanë sqaruar dhe deklaruar financat. Do ta përsërisim e përsërisim, mund ta them me siguri se nuk kemi asnjë problem financiar këtu. S’ka pastrim parash. Jemi të pastërt dhe jemi të hapur për çfarëdo lloj kontrolli.

Periskopi: Cila është e ardhmja e institucioneve tuaja? A do të bëhet më e vështirë që të funksiononi normalisht?

Ulus: Në Kosovë ne merremi me edukim që nga vitit 2000. Bëhen 18 vite që punojmë këtu me stafin tonë. Në 5 degë, në 5 shkolla të ndryshme, tani ne kemi 250 mësues dhe 1700 nxënës. Dhe i gjithë stafi ynë, të gjithë mësuesit disa prej të cilëve janë nga Turqia, disa nga SHBA-ja, shumica janë kosovarë. Mund të them se të gjithë 250 profesorët janë elitarë, më të ngriturit. Stafi ynë është mbi standardet e Kosovës. Fatkeqësisht ne humbën 5 nga stafi ynë dhe kur i krahason 5 me 250 mësuesit, ky nuk është numër edhe aq i madh. Besoj dhe vërtetë dua t’u them studentëve dhe komunitetit shqiptar këtu se ne do ta vazhdojmë atë që bënim përpara kësaj ngjarjeje, siç është ngjarja e së mërkurës. Ne do ta japim edukimin më të mirë në këtë vend dhe nga tash do ta intensifikojmë edhe më shumë dhe të japim edukim edhe më të mirë se standardet kosovare.

Periskopi: A dyshoni se diçka e tillë, sikurse ngjarja e kaluar, mund të ndodh sërish?

Ulus: Ne nuk dyshonim se diçka e tillë do të ndodhte. Ndiheshim vërtet të sigurt këtu, sepse besonim në traditën kosovare dhe besojmë ende në këtë traditë. Që tash e tutje, diçka e tillë nuk do të përsëritet më. Shkollat tona nuk do të mbyllen dhe jam i bindur se shqiptarët, kosovarët, nuk do ta lejojnë regjimin e Erdoganit që të operojmë më në këtë shtet?

Periskopi: Si e komentoni gjithë mbështetjen që e morët nga qytetarët e Kosovës?

Ulus: Me të vëretë jemi falënderues ndaj tyre, e çmojmë mbështetjen e tyre. Shumë familje erdhën dhe na vizituan në shkollat tona. Do të duhej të shihnit ato skena. Shumica e tyre qanin, na thoshin “MË FAL”, na vjen keq, nuk mundëm t’ju mbrojmë. Një nga kolegët tanë kishte marrë një taksi për në shkollë dhe i kishte thënë që ta dërgojë në kolegjin Mehmet Akif. Ai ishte një drejtues makine, një drejtues taksie, djali apo vajza e tij nuk janë në shkollën tonë, nuk kishim ndonjë lidhje më parë me të. Ai ka thënë “më fal. Më vjen shumë keq që nuk mundëm t’ju mbrojmë ju”. Kështu që, disa njerëz më pyesin sikurse ju se çfarë do të bëjmë tash e tutje dhe unë u them se nuk mund ta tradhtojmë askënd që na ndihmoi dhe mbështeti kaq shumë, ne do të vazhdojmë me edukimin në shkollat tona, s’do të shkojmë askund tjetër.

Periskopi: Si pyetje e fundit, prisni ndonjë deklaratë zyrtare nga institucionet e Kosovës për ta sqaruar atë që ndodhi, sepse siç thamë, nuk është sqaruar ende?

Ulus: Po, pres që kjo të ndodh dhe autoritetet kosovare duhet ta bëjnë këtë, është një obligim për ta.

Periskopi: Nëse nuk keni diçka për të shtuar, mund ta përfundojmë me kaq.

Ulus: Çfarë dua të shtoj është ta përsëris edhe një herë se i jam vërtet falënderues komunitetit kosovar, çdonjërit në Kosovë, secilit person. Ne i kemi kontribuar sistemit të edukimit në Kosovë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Do t’i mbajmë standardet lartë këtu dhe dëshiroj t’u them studentëve se jemi këtu, do të vazhdojmë së dhëni edukim nëse edhe ata janë me ne. Gjatë kësaj periudhe, gjatë javës së kaluar, e kam kuptuar se ne jemi në zemrat e kosovarëve apo shqiptarëve këtu. Nëse na mbajnë në zemrat e tyre, ne do të përpiqemi shumë që të rrimë këtu.

Periskopi: Faleminderit drejtor.

Ulus: Faleminderit shumë!

Shpërndaje në: