”Nuk e votojmë” – LDK e AAK njëzëri kundër buxhetit për vitin 2025, PDK hesht

”Nuk e votojmë” – LDK e AAK njëzëri kundër buxhetit për vitin 2025, PDK hesht

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë buxhetin e shtetit për vitin 2025, raporton Periskopi.

Shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se të hënën e ardhshme është vendosur të mbahet seanca në të cilën do të diskutohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025.

“Të hënën një seancë me pikën e vetme të rendit të ditës, diskutimin për buxhetin e vitit 2025. Sot kemi vazhdimin e seancës së javës së kaluar por do shohim a do të jetë prezent LVV-së, ne do të jemi prezent dhe do të shfaqim shqetësimet tona”, ka theksuar ai.

Ai ka deklaruar se do të japin vërejtjet e tyre dhe nëse ato merren parasysh do ta shohin si mundësi votimin e buxhetit.

“Ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtët tona dhe nëse ato merren në konsideratë, atëherë do ta shohim si mundësi. I ka dy probleme ligjore dhe kushtetuese, që Qeveria e Kosovës i ka propozuar gabimisht”, ka deklaruar Gashi pas mbledhjes së Kryesisë.

Kryetari i GP-së së AAK-së, ka deklaruar gjithashtu se partia e tij nuk do ta votojë buxhetin për 2025.

“Ne nuk e votojmë, nuk e mbështesim, dhe zotohemi që do ta rishikojmë në qeverinë e ardhshme dhe pozicioni i AAK-së në qeverinë e ardhshme lidhet në dy tema në atë të pagave dhe projekteve kapitale.

Për këtë çështje nuk është deklaruar ende Partia Demokratike e Kosovës.

Nuk ka mundësi ky ligj as me u përmirësu, me ndodh kjo duhen së paku 50 amendamente që me rregullu punën e pagave në sistemin publik. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, ka deklaruar Tahiri.

“Është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. Dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të viti të ardhshëm. E mira e kësaj punë është se më 9 shkurt janë zgjedhjet, e pas 9 shkurtit Qeveria e re duhet ta rishikojë në plotni këtë buxhet”, ka theksuar ai.

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se partia e saj ka mjaftueshëm mbështetje për të miratuar ligje dhe vendime, përfshirë buxhetin e propozuar nga Qeveria Kurti, pa pasur nevojë për mbështetjen e opozitës.

Buxheti për vitin 2025 pritet të diskutohet në Kuvend, të hënën e 11 nëntorit.

Kusari-Lila ka shtuar se nuk është hera e parë që opozita nuk merr pjesë në miratimin e projektbuxhetit gjatë këtij mandati.

“Nuk ka asgjë të re. Nëse e shikoni modelin e opozitës, ata nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga miratimet që kanë ndodhur gjatë kësaj legjislature. Ne, po, e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe në votimet e mëparshme. Arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera. Ndërsa për opozitën, s’kam çfarë të shtoj”, ka thënë Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Gashi: Nuk e votojmë buxhetin, Qeveria ka bërë shkelje ligjore

“Buxheti 2025”, Tahiri: Do ta kundërshtojmë fuqishëm

 

Shpërndaje në: