Novela e ndaluar e Tolstoit që nxiti revolucion seksual në Rusi
Nga fundi i jetës, prind i 13 fëmijëve, shkrimtari pësoi një shndërrim shpirtëror: rishikoi qëndrimin ndaj martesës dhe marrëdhënieve midis burrave dhe grave në përgjithësi.
Në novelën që shkakoit skandal: “Sonata Kreutzer”, Tolstoi propozon të hiqej dorë plotësisht nga dashuria fizike! Libri pati një ndikim jashtëzakonisht të madh tek rinia, në fund të shekullit të 19-të. Disa e konsideruan novelën e Tolstoit: “Sonata Kreutzer”, si punën e tij më të mirë, të tjerët, përkundrazi, i hodhën poshtë pikëpamjet e Tolstoit, ndërsa Teodor Ruzvelt shkoi deri atje, sa e quajti një “zvetënues të moralit seksual”. Përse krijoi një bujë të atillë në publik, kjo novelë e shkurtër? Dhe çfarë përçon në të, Tolstoi?
Vrarë nga xhelozia
Protagonisti, Vasili Pozdnishev, historinë e jetës ia tregon një bashkudhëtari treni. Ai vrau bashkëshorten, kur, teksa kthehet nga një udhëtim në orët e vona, e gjen të shoqen duke luajtur muzikë me një burrë tjetër. Gjykata vendosi që vrasja ishte provokuar nga tradhtia bashkëshortore dhe e liroi, kështu që Pozdnishevi u lejua të shëtiste i lirë. Pas episodit të tmerrshëm, Pozdnishevi pësoi një rilindje shpirtërore, me pretendimin se tashmë e kuptonte gjendjen e ligë të shoqërisë: “Unë nuk e vrava gruan atëherë, por shumë më herët. Ashtu siç po vrasin tani, gjithkush, gjithsecilin…”. Libri nuk e qartëson nëse e shoqja e Pozdnishevit ishte e pabesë, apo jo: Tolstoi është shumë më i shqetësuar për ndjenjat, sesa për veprimet. Në epigrafin e “Sonata Kreutzer”, autori citon nga Ungjilli: “Unë po ju them, se të gjithë që shikojnë një grua me epshin për ta pasur, në zemër ka kryer tradhti bashkëshortore me të”. “Tolstoi ishte i bindur se fatkeqësia që i ngjau familjes së personazheve të tij buronte nga shthurja seksuale paramartesore, që i mësoi të shpresonin nga jeta familjare, para së gjithash, kënaqësinë e dëshirës trupore. Zhgënjimi e çon Pozdnishevin të urrejë të shoqen dhe të ndihet xheloz i çmendur”, – shkruan Andrei Zorin në librin: “Jeta e Lev Tolstoit. Përvoja e leximit”.
Rrethi vicioz
Duke diskutuar edukimin seksual të djemve dhe vajzave, Pozdnishevi vëren me hidhërim, sesa me ç’moral të korruptuar është shoqëria në modë.
Në rrethin shoqëror konsiderohej normale, madje e shëndetshme që burrat “të kënaqen në shthurje” para martesës. “Më kujtohet që befas ndjeva një trishtim kaq të thellë, saqë doja të qaja, të qaja për humbjen njëherë e përgjithmonë të pafajësisë sime, të marrëdhënieve me gratë. Po, marrëdhëniet e mia me gratë ishin mbyllur njëherë e mirë”. Vlen të përmendet se ky episod është autobiografik: Tolstoi kishte përvojë shumë të ngjashme, duke e përshkruar edhe në ditarët.
Në të njëjtën kohë, gratë privoheshin nga “e drejta” për të pasur marrëdhënie seksuale para martesës. Sidoqoftë, sipas Pozdnishevit, gratë e sapomartuara nuk janë më të mira se prostitutat. Qëllimi i vetëm i hobeve të tyre, qoftë shthurje apo muzikë, ishte të bënte përshtypje tek burri i ardhshëm. Sa u përket veshjeve të grave, Pozdnishevi rendit një varg të gjatë, duke thënë se miliona njerëz punojnë në fabrika vetëm për të kënaqur tekat e grave, duke krijuar veshje që mund të tërheqin hëpërhë një anëtar të seksit të kundërt. Madje, ai e konsideron të tmerrshëm faktin që gratë ua marrin mendjen burrave me sensualitetin e tyre. “Sapo ajo e posedon me mënyrat e saj, fillon të abuzojë dhe fiton një epërsi të tmerrshme”.
Tolstoi i zhgënjyer nga institucioni i martesës
Për mendimet e guximshme në lidhje me martesën dhe për zhvlerësimin e vlerave të familjes, “Sonata Kreutzer” u censurua menjëherë pas botimit. Për më tepër, në SHBA, po ashtu u ndalua shtypi i gazetave që botuan novelën e përkthyer. Sidoqoftë, ishte grishja e frutit të ndaluar që e bëri librin tepër të popullarizuar. Tashmë Tolstoi ishte bërë i famshëm ndërkombëtar, por me “Sonata Kreutzer”, ai bëri për vete imagjinatën e gjithë shoqërisë së arsimuar dhe veçanërisht të rinjve. Novela kalonte nga një person tek tjetri në fshehtësi, në kopje të shkruara me dorë. Pozdnishevi përshkruan sesi ra në dashuri me gruan e tij të ardhshme, mirëpo shumë shpejt atë e pa vetëm si një bashkim në një udhëtim të këndshëm me varkë dhe për fustanin tërheqës që kishte veshur. Pas martesës, pason një muaj “i poshtër” mjalti, që nuk qe tjetër veçse vesi i ligjëruar. Më pas, burri nuk ia ka idenë se ç’person është bashkëshortja dhe habitet kur sheh zemërim, apo cilësi të tjera tek ajo. Pasojnë grindje dhe keqkuptime, ndaj e vetmja gjë që mund t’i pajtojë është lindja e fëmijës. Pikërisht në lindjen dhe rritjen e fëmijëve e sheh Pozdnishevi (njëlloj si Tolstoi), qëllimin e gruas. Kur mëson se pas lindjes së fëmijës së pestë, mjekët e këshillojnë gruan të mos bëjë më fëmijë, Pozdnishev e sheh këtë si shkelje të ligjit të natyrës. Për më tepër, sipas Tolstoit, një grua që nuk mund të krijojë, por vijon të bëjë seks me burrin, madje përdor kontraceptivë, është krejtësisht e pamoralshme. Këtë çështje shkrimtari e kishte për zemër, pasi edhe gruaja e tij u këshillua të mos lindte më, mirëpo ai kundërshtoi që ajo të merrte “masa” për të shmangur shtatzëninë. […] Pozdnishevi mendon, se mënyra më e mirë është abstenimi i seksit, mirëpo bashkudhëtari dhe dëgjuesi i historisë së jetës e pyet: Po atëherë, si do t’i vejë filli racës njerëzore? Unë pajtohem me budistët, se jeta njerëzore nuk ka qëllim dhe se gjithsesi një ditë do të mbarojë, njëlloj si raca njerëzore, si rrjedhojë nuk shoh ndonjë dëm nëse mbaron kur të gjithëve do t’u duhet të jetojnë moralisht. “Tolstoi padyshim që e hodhi poshtë kuptimin pozitiv të vetë martesës, duke e konsideruar si bashkimi i një burri dhe një gruaje shenjtëruar nga tradita e krishterë”, – shkruan studiuesi i Tolstoit, Pavel Basinsky.
Interpretimi i grave të emancipuara
Në vitet 1890, “Sonata Kreutzer” u bë objekt diskutimi. Basinsky, shkruan: “Ishte një nga çmenduritë kryesore të dekadës”. Fundi i shekullit të 19-të ishte epoka e përparimit galopant të emancipimit të grave, kësisoj nuk është për t’u habitur që lexuesit femra panë një tjetër problem etik në histori: përse një femër duhet të mbetet e virgjër para martesës, ndërsa një burrë ka të drejtë të fitojë përvojë paraprake seksuale, madje inkurajohet nga vetë shoqëria për ta bërë këtë?
Pasi doli novela e Tolstoit, çështja e moralit seksual filloi të diskutohej edhe në shtyp. Yelizaveta Dyakonova, një nga feministet e para ruse, shkroi në revista, duke shprehur indinjatën, se çdo burrë “do ta konsideronte turp për veten” të martohej me një grua që kishte marrëdhënie me burra të tjerë para tij, ndërsa ai vetë e konsideron normale të ketë përvoja seksuale para martese. “Dhe është kudo njëlloj, kudo! Si në Rusi, ashtu edhe jashtë Rusisë! O Zot, Zot i Madh!” – shkruante Dyakonova.
Nëse novela e Tolstoit e nxiti Dyakonovan, të kërkonte që burrat të ruajnë pafajësinë para martesës njëlloj si gratë, kjo i nxiti gratë e tjera të kuptojnë padrejtësinë e situatës së tyre dhe të kërkojnë lirinë. /konica