Noteri dhe tre të akuzuar lirohen nga akuzat, 5 vite burgim e 5 mijë euro gjobë për të akuzuarin tjetër

Noteri dhe tre të akuzuar lirohen nga akuzat, 5 vite burgim e 5 mijë euro gjobë për të akuzuarin tjetër

Noteri Bedri Godanci bashkë me asistentin e tij Besart Godanci, si dhe të akuzuarit Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu, janë liruar nga aktakuza për korrupsion dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, kurse Elmi Arifaj u dënua me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për mashtrim.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri të premten kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, rapoton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të akuzuarit Elmi Arifaj, gjykata shpalli aktgjykim dënues sa i përket veprës penale të mashtrimit, duke e dënuar me 5 vite burgim, si dhe me 5 mijë euro gjobë.

I akuzuari Arifaj u obligua edhe për pagesën e shpenzimeve të procedurës gjyqësore dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro, si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, u revokua masa e përkohshme e lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, kurse pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

Ndërsa, të akuzuarit Bedri Godanci, Besart Godanci, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu u liruan nga aktauza.

“Në provat që ne i kemi administruar, në veçanti nga mbrojtja e të akzuarit Elmi, ka rezultuar se Elmia i ka vënë në lajthim që të gjithë, në momentin kur është përpiluar një akt në rastin konkret autorizimi në fjalë, është përpiluar ngase është kërkuar nga Elmiu që të përpilohet në zyrën noteriale dhe duke i thënë se do të vije D., që ta nënshkruajë ai, më pas e thërret në telefon dhe i thotë se ai është në shtëpi dhe nuk mund të vijë”, tha gjyqtarja Kuka-Mekaj.

Sipas saj, nga provat e administruara është parë që është mashtruar edhe noterid he asistenti i tij.

“Këtë rast duke pasur parasysh që tek noteri në fjalë janë kryer shumë shërbime që ka pasur edhe autorizime valide e që janë kryer disa transfere, hipoteka, në besim noteri në fjalë e dërgon asistentin e tij për të nënshkruar autorizimin në fshatin Tërsnik, mirëpo nga provat e adminsitruara është parë që është mashtruar edhe Besart Godanci dhe është nënshkruar autorizimi nga një person krejtësisht tjetër”, tha gjyqtarja.

Sipas saj, në këtë rast noteri Bedri Godanci kishte bërë shkelje etike i që ka dërguar asistentin e tij për të marrë autorizimin, por në Ligjin për Noterinë thotë se nuk është e përshkruar as që ndalohet e as që lejohet kjo gjë.

Ajo tha se në udhëzime administrative e ka parë se për të gjitha vërtetimet çfarëdo qofshin, përpilimin duhet ta bëjë vetëm noteri.

Por, në rastin konkret sipas gjyqtares Kuka-Mekaj, për t’u kryer vepra penale e keqpërdorimit, në shpërdorim, mospërmbushje apo tejkalim të detyrave zyrtare, duhet të plotësohen domosdoshmërisht dy elemente objektive dhe subjektive, dashja direkte.

Sipas saj, nga provat e adminstruara u vërtetua se nuk ka pasur dashje direkte që i njëjti ta dërgojë autorizmin që të falsifikohet.

“Dashja tjetër që e tërheq përfitimin apo dëmin e shkaktuar personit tjetër, nuk e kemi vërtetuar dhe në mungesë të këtyre dy elementeve ne kemi ardhë në përfundim që ka shkeje të Kodit të Etikës, por kjo nuk është në kompetencë tonën, është në kompetencë të një institucioni krejtësisht tjetër, por nuk kemi gjet që ka përgjegjësi penale”, tha gjyqtarja Kuka-Mekaj.

Kurse për akuzën se në bashkëkryerje me të tjerët ka falsifikuar, gjyqtarja thekson se Godanci tha se nuk ka qenë në dijeni as nga kush ishte nënshkruar, por falsifikimi i dokumentit zyrtar në raport me personin zyrtar ka të bëjë me ndryshimin e të dhënave të ndonjë vendimi.

Në rastin konkret, gjyqtarja tha se përpilimi është bërë ashtu siç është kërkuar nga palët, por nënshkrimi është bërë nga palët tjera dhe se palët tjera për të kryer veprën e falsifikimit të dokumentit zyrtar, duhet ta kenë pozitën e personit zyrtar, e që në rastin konkret as Elmiu, as Baliu as Sinani nuk e kanë pasur.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Besart Godanci, gjyqtarja tha se edhe sikur të rezultonte se ky ju ka ndihmuar që të falsifikohet ky autorizim, për të gjitha veprimet e punëtorit të zyrës së noterisë përgjigjet noteri. Andaj, ai nuk ishte përgjegjës edhe po të kishte dashje të noterit për falsifikim, për këto arsye edhe është liruar nga aktakuza.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 5 gusht 2022, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e Prokurorisë së Pejës.

Ndryshe, noteri Bedri Godanci akuzohej për tri vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi. Po ashtu, i njëjti ngarkohej si bashkëkryerës me të pandehurit Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar. I pandehuri Besart Godanci akuzohej për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Kurse, të pandehurit Elmi dhe Bali akuzoheshin edhe për mashtrim.

Në aktakuzën e ngritur dhe të përmirësuar më 29 qershor 2022 nga Prokuroria e Pejës, i pandehuri Bedri Godanci akuzohej se më 13 qershor 2017 në Klinë, si noter, në vazhdimësi nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj.

Me këtë, akuzohej se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 e nenin 81 të KPRK-së.

Prokuroria i ngarkonte në bashkryerje të pandehurit Bedri Godanci, Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”.

I pandehuri Besart Godanci akuzohej se si asistent noterial më 13 qershor 2017 ndihmon në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Thuhet se i pandehuri në marrëveshje me të pandehurit Bedri e Elmi Arifaj, e dijeninë e të pandehurit Bali, autorizimin të cilin e kishte përpiluar paraprakisht i pandehuri Bedri, e dërgon në shtëpinë e të pandehurit Elmi për t’u nënshkruar i pandehuri Sinan në vend e pa dijeninë e të dëmtuarit D.A., me të cilin autorizimin kinse i dëmtuari D., e ka autorizuar të pandehurin Bali për shitjen e të gjitha pronave të tij dhe bartjen e tyre në hipotekë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 33 të KPRK-së.

Të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj akuzoheshin se më 13 qershor 2017 në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në vazhdimësi me marrëveshje parapake, me paraqitje të rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë vënë në lajthim zyrtarët e bankës në dëm të pasurisë së saj, duke prezantuar autorizimin e falsifikuar kinse si autorizues D.A., dhe përfitojnë 250 mijë euro në emër të kredisë duke lënë peng patundshmëritë e të dëmtuarit D., e të cilën kredi nuk e paguajnë. Po ashtu, të njëjtit ngarkohen se kishin hyrë në raporte të shitblerjes me pronat e të dëmtuarit D.

I pandehuri Elmi Arifaj akuzohej se më 18 korrik 2018 në Klinë, edhe pse ishte i vetëdijshëm se pronat ishin në emër të D.A., në regjistra kadastral, ia shet pronat sipas kontratës mbi shitblerjen këtu të dëmtuarit N.M., përmes babait të tij për shumën prej 260 mijë euro.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 335, par.2 e 4 e lidhur me par.1 me nenin 31 e 81 të KPRK-së.

Shpërndaje në: