Nostalgjia e rrezikshme e Europës

Nostalgjia e rrezikshme e Europës

 

Bashkimi Europian po e përjeton një nostalgji të rrezikshme. Nuk është vetëm dëshira për “ditët e moçme të mira” – para se BE-ja të cënonte sovranitetet nacionale – duke ushqyer  rritjen e politikave nacionaliste të partive; liderët europianë vazhdojnë që të përdorin zgjidhjet e djeshme për problemet e sotme.

Është menduar që secili të përfitonte nga integrimi europjan. Kurdo që një shtet bashkohet, merr ndihmë financiare, kurse anëtarët ekzistues fitojnë çasjen në një treg të ri. Avantazhet, ishte e pritur, mund të shiheshin jo vetëm nga të dhënat e plota, por edhe nga përvojat vetjake të individëve.

Por realiteti ishte më pak i qartë. Në fillim të krizës financiare të 2008-ës, dobësia e ekonomive të BE-së u përball me një papunësi në ngritje të përnjëhershme, veçanërisht të të rinjëve, ndërsa ekonomitë e forta e ndjenë presionin e “shfaqjes së solidaritetit” për shtetet me probleme.

Kur ekonomitë e forta i shpëtuan këto vende, ato kërkuan poashtu edhe austeritet që i pengonte marrësit të ringritnin ekonomitë e tyre. Pak prej tyre ishin të kënaqura, dhe shumë prej tyre e fajësuan Bashkimin Europjan.

Në këtë kontekst, partitë dhe lëvizjet politike që e kundërshtonin BE-në morën mbështetje më të madhe, posaqërisht në Europën Perëndimore. Ndonëse këto lëvizje nuk sjellin ndonjë të re, përkrahja për to është rritur në shkallë alarmuese përgjatë periudhës së krizës. Vërtetë, me secilën politikë të dështuar për të ndihmuar ngritjen ekonomike, europjanët janë ndjerë gjithnjë e më të zhgënjyer, duke e ushqyer ndjesinë populliste dhe duke kërkuar për kthimin e sovraniteteve kombëtare.

Liderët politik që i kanalizuan këto kërkesa, nuk duan thjesht të ripohojnë kontrollin kombëtar në të gjitha fushat; ata poashtu po e përhapin mesazhin e shpërfilljes – apo një refuzimi të plotë  – ndaj të huajve, si pasqyrim i përgjigjjes për fluksin e refugjatëve drejt Europës. Sipas tyre, secili vend duhet të mbrojë vetveten me të gjitha mjetet, edhe nëse ligjet nuk respektohen.

Por, ndërsa dhimbja ekonomike që europjanët e ndjejnë është reale, diagonza e nacionalistëve për burimin e saj është fallse. Realiteti është që BE-ja mund të kritikohet për mënyrën sesi është marrë me krizën; por s’mund të fajësohet për imbalancet ekonomike globale që e kanë rritur krizën ekonomike prej 2008-ës. Këto imbalance e reflektojnë një fenomen shumë më të gjerë: glabalizimin.

Kjo nuk nënkupton që globalizimi është një gjë e keqe. Hapja e shoqërive dhe ekonomive për botën përfshin pasiguri të mëdha; por poashtu ofron mundësi të shumta.

Jo shumë kohë më parë, Europa ishte lider botëror sa i përket hapjes. Në fakt, projekti europjan është, në koren e tij, pasqyrë e hapjes – dhe e cila është një konsekuencë e koklavitur e jetës në botën e sotme të globalizimit.

Më 2004, kur BE-ja formalisht mirëpriti tetë vende ish-komuniste si anëtare të saj, hapja europjane arriti kulmin. Një erë e re u duk se po fryente në Europë, në të cilën, rendi e ligji, demokracia, dhe të drejtat individuale ishin  të paprekshme. Dhe sapo vendet e Europës Perëndimore nisën t’i rezistojnë hapjes, ashtu bënë edhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Në disa vende – posaqërisht në Poloni dhe Hungari – nacionalizmi dhe ndjesia anti-BE është në vlim. Fatkeqësisht, kjo ka shpier edhe në erozion të respektimit të ligjit.

Polonia është marrësi më i madh i fondeve europjane dhe i vetmi vend i BE-së që e shmangu recesionin gjatë krizës; ky vend i ka përjetuar 23 vjet me një rritje të pandërprerë. Për më shumë, qytetarët polak ishin gjerësisht mbështetës të BE-së qëkur u bënë anëtar. Madje, edhe barometrat e fundit tregojnë se 55% e polakëve e shohin BE-në pozitivisht.

Megjithatë qeveria polake, e udhëhequr nga djathtistët e partisë Ligj e Drejtësi (PiS), po mësyn ta ndërrojë këtë, duke i paraqitur politikat europjane si kërcënim për identitetin kombëtar polak. Në vend se të diskutonin sesi të përshtasnin politika specifike për interesin kombëtar të Polonisë ose të amplifikojë zërin e vendit në nivelin europjan, PiS i heq të gjitha masat dhe vendimet Europjane, duke e konsideruar si një sfidë direkte të asaj që e bën Poloninë Poloni.

Këtyre pretendimeve, në njëfarë mase, iu dha jehonë qeveria Hungareze, e udhëhequr nga partia djathtise Fidesz. Reformat kushtetore të zbatuara më 2013, rreth gjërave tjera, e shtrinë autoritetin e tyre dhe krijuan një këshill të ri të shtetit, të mbushur me anëtar të Fidesz, për të rregulluar median.

Disa thonë që nëse Hungaria do të kërkonte hyrjen në BE sot, ajo do t’i mohohej. Sa për Poloninë, Komisioni Europjan ka nisur një hetim të paprecendent si përgjigjje ndaj legjislacionin të fundit, i cili nën pretekstin e “mbrojtjes së sovranitetit kombëtar” përqendron më shumë fuqi në duart e qeverisë.

Kjo paraqet një ndryshim zhgënjyes. Në detyrat e mia profesionale, kam qenë dëshmitar i hyrjes së Hungarisë dhe Polonisë në institucionet Euroatlantike. E kam parë padurimin dhe shpresën e njerëzve të tyre në ato momente. Kjo është arsyja pse nuk mund ta kuptoj pozicionin e tyre sot.

Natyrisht, nuk është e paarsyeshme që Polonia dhe Hungaria, sovraniteti i të cilave ishte i mjaft i uzurpuar nga Bashkimi Sovjetik, janë veçanërisht të ndjeshme kur bëhet fjalë për përpjekje nga jashtë për të formuar vendim-marrjen e tyre dhe që kanë sens të lartë për identitetin kombëtar sesa kombet e tjera të BE-së. Por, të refuzosh BE-në, nuk do t’i ruante ato nga pasiguria që vjen me globalizimin. Në të kundërtën, kjo do t’i linte ato shumë më të ekspozuara para rreziqesh të panumërta.

Disa i kanë përdorur përvojat e këqija me globalizimin si shfajësim për rikthim në proteksionizëm, në ditët e qeta të kufijëve të fortë kombëtar. Të tjerë, duke u thirrur në shtetin-komb që kurrë nuk ekzistoi, kapen pas sovranitetit kombëtar si arsye për të refuzuar integrimin e mëtejmë europjan. Të dyja grupet vënë në pyetje themelet e projektit europjan. Por kujtesa e tyre i dështon kurse dëshira e madhe do t’i gabojë.

 

Project-Syndicate | Përktheu: Periskopi

Shpërndaje në: