Nora Gjakova e Distria Krasniqi punësohen me gradën e kolonelit në Ministrinë e Mbrojtes së Shqipërisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe atletet nga Kosova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, janë punësuar nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, me gradën e kolonelit.
“Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar atletja Luiza Gega, peshëngritësi Briken Calja, xhudistet Nora Gjakova, dhe Distria Krasniqi, xhudisti Indrit Çullaj, atleti Ilir Këllezi dhe peshëngritësi Ilirian Suli”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
“Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë lartësimit afatgjatë të shembullit të kampionëve kuqezinj në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare”.
Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:
Luiza Gega – “Kolonel”
Briken Calja – “Kolonel”
Nora Gjakova – “Kolonel”
Distria Krasniqi – “Kolonel”