Noizy nuk paraqitet për intervistim, Prokuroria kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e reperit

Noizy nuk paraqitet për intervistim, Prokuroria kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e reperit

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy.

Noizy është kërkuar me urdhër të Prokurorisë pasi i njëjti nuk është paraqitur për intervistim para organeve kompetente ashtu siç ka paralajmëruar avokati i tij.

Lajmin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“I njëjti nuk është paraqitur për intervistim përkundër premtimeve nga avokati i tij – për këtë çështje i bëjmë thirrje këngëtarit dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale të paraqiten tek organet hetuese”, tha ai.

“Kërkojmë edhe ndihmën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me Policinë dhe Prokurorin e Shtetit”.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se zyrtarë policorë e kanë kërkuar Noizyn para rreth një ore në banesën e Bahtjar Bajraktarit, DJ-it të reperit, i cili jeton në Prishtinë.

Por, Noizy, i cili mbrëmë performoi para shumë fansave të tij në diskotekën “Venom”, nuk është gjetur në banesën e DJ-it të tij në Dragodan.

Megjithatë, Policia, në këtë lokacion e ka lënë edhe ftesën për DJ CARXX, i cili po ashtu ka qenë i përfshirë në përleshjen që ndodhi para disa netësh në një klub nate në Pejë.

 

Shpërndaje në: