Njohësit e ekonomisë për shtrenjtimin e rrymës: Pasqyrë e mafisë energjetike Kurti-Berishaj-Krasniqi

Njohësit e ekonomisë për shtrenjtimin e rrymës: Pasqyrë e mafisë energjetike Kurti-Berishaj-Krasniqi

Tri kompanitë që merren me çështjen e energji në Kosovë, KOST, KEDS dhe KESCO kanë kërkuar shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend, derisa kjo po shqyrtohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Në lidhje me këto zhvillime nga qeveria në detyrë nuk kanë bë zë, por reagime të shumta pati nga opozita dhe qytetarët, e në anën tjetër njohës të ekonomisë vlerësojnë se “sebep” i kësaj është kryeministri Albin Kurti bashkë me Martin Berishajn e Nagip Krasniqin.

Sipas gazetarit të ekonomisë, Lavdim Hamidi, nëse një rritje e tillë aprovohet prej 35%, atëherë rryma do të shtrenjohet për 150%.

“Gjatë tri viteve të fundit, po që se aprovohet kërkesa nga kompanitë energjetike KEDS, KESCO dhe KOSTT për shtrenjtim të tarifave energjetike për 35 %, do të kemi shtrenjtim të rrymës për hiç më pak se 150 %. Asnjë Qeveri në të kaluarën për një mandat nuk i ka rritur tarifat e energjisë kaq shumë sa janë rritur në mandatin e kryeministrit Albin Kurti”, tha Hamidi.

Tutje, Hamidi ka theksuar se një shtrenjtim kaq i lartë nuk ka ndodhur në asnjë vend dhe kjo do t’i kushtojë shumë familjeve kosovare.

“Një shtrenjtim i tillë kaq i lartë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, përpos në Kosovë dhe me hyrjen e tarifave të reja në fuqi prej 1 prillit, gjatë sezonit të ardhshëm dimëror do të kemi mesatarisht shtrenjtim të faturave të energjisë prej 50-100 euro për familje. Ky shtrenjtim do t’i kushtojë çdo familje mesatarisht 5 bukë në ditë, të cilat ua merrë KEDS nëpërmjet shtrenjtimit të rrymës”.

E sipas gazetarit tjetër të ekonomisë, Shkelzen Dakaj, rritja e çmimit të rrymës është pasojë e keqmenaxhimit të KEK dhe përfshirjes së mafias energjetike.

“Fatkeqësisht sipas gjitha informata që kemi dhe duke u bazuar në arsytimin e kërkesës për rritje të çmimit që e ka bërë KESCO, mendoj  që do të kemi sërisht rritje të cmimit.  Nuk besoj që do të aprovohet në  35%, por pres që do të jetë 10 deri 15 %. Kjo rritje dhe rritjet në 4 vitet e fundit, që kanë shku rreth 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat është pasojë e keqmenaxhimit të KEK-ut, mos prodhimit të kapacitetve që kemi, e përfshirjen se mafias energjetike ku interesat kapin shifrat multi milioneshe nga importi”, tha Dakaj për Periskopin.

Njëjtë si Dakaj, ka vlerësuar edhe gazetari Hamidi i cili ka përmendur skandalin e ambasadorit Martin Berishaj me kompaninë energjetike GEN.

“Nëse Bordi i ZRRE-së i aprovon tarifat e reja me 35 % rritje, dihet se qartësisht kanë pasur presion nga Qeveria “Kurti”, pasi që në Bord të ZRRE-së janë disa anëtarë që në të kaluarën kanë punuar në KEDS, ndërsa kryeministri Albin Kurti i ka takuar disa herë oligarkët turq që janë pronarë të KEDS-it dhe njëkohësisht nga shtrenjtimi i rrymës ka interesa kjo strukturë qeveritare nëpërmjet ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka ka bashkëpunuar me kompaninë energjetike GEN Sllovenia, përkatësisht me dëgën e saj në Beograd, nga e cila ka pranuar transfere të majme financiare”, tha Hamidi.

Se mafia energjetike ka dorë në këtë, gazetari Dakaj ka treguar një pasqyrë të statistikave të importit të energjisë, ku siç thotë ai, në vitin 2021 është trefishuar importi deri në 155. 6 milionë euro e në vitin 2024, Kosova ka importuar 114.7 milionë euro.

“Në 4 vitet e fundit si asnjëherë më parë kemi pas ramje të blloqëve të KeK-ut. Është cekur edhe në kërkesën e KESCO-s për lejimin e rritjes së çmimit të energjisë, devijimi i prodhimit vendor, që nënkupton që nuk janë përmbush planifikimet e prodhimit nga KEK-u dhe KEDS/KESCO është detyru me importu energji për me mbulu konsumin. E kosto e importit nëse shikohet nga viti 2017 deri në 2024 tregon qartë këtë që e thash. Në katër vitet e fundit kosto e importit ka shku në afër 590 milionë euro. Pra, kjo është pasqyra; në 2017 kemi importu energji elektrike në vlerë prej 68.7 milionë euro, në 2018 kemi importu 53.9 milionë euro, në 2019 50.1 milionë euro, në vitin 2020 kemi importu 41.8 milionë euro, kurse nga viti 2021 është trefishuar ku shkon në 155.6 milionë euro, në 2022 181.7 milionë euro, në 2023 137.1 milionë euro dhe në 2024 114.7 milionë euro. Kjo pasqyrë tregon qartë dorën e mafias energjetike. Është ajo që e kemi thënë në vazhdimësi e që lidhet me dy figurat kyqe, ambasadori Martin Berishaj dhe ish-drejtori i KeK-ut tashmë me aktakuzë, Nagip Krasniqi”, përfundoi Dakaj.

Kujtojmë se dje Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka bërë të ditur se çdo vendim për shtrenjtimin e mundshëm të energjisë elektrike do të bazohet në një vlerësim të detajuar dhe konsultim publik. Deri atëherë, ZRrE-ja tha se “nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike.”/ PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: