Njihuni me OJQ’në kosovare që mori mbi 43 milionë euro donacione për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë

Njihuni me OJQ’në kosovare që mori mbi 43 milionë euro donacione për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë

Kosova që nga pas lufta ka përfituar projekte me vlerë dhjetëra milionëshe për ngritjen e cilësisë së arsimit. Njësoj, edhe organizatat jo qeveritare kanë përfituar miliona për trajnimin e mësimdhënësve dhe përmirësimin e arsimit. Por, gjendja mbetet e mjerë dhe e pashpresë. Këtë e konstatoi së fundmi hulumtimi shokues i Bankës Botërore për nivelin e nxënësve kosovarë. Njëra ndër OJQ që përfitoi miliona donacione për arsim është edhe Qendra për Arsim e Kosovës [KEC]. Por, drejtuesi i KEC’it, Dukagjin Pupovci nuk ndihet fajtor për këtë, raporton Periskopi. 

Para disa ditëve, Banka Botërore publikoi Raportin “Indeksi i Kapitalit Njerëzor [KCI]”, i cili lëshoi kambanën e radhës për gjendjen e rëndë të arsimit në Kosovë.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Banka Botërore, shkollimi në Kosovë është pesë vite prapa, ashtu që 12.8 vite shkollimi në Kosovë janë të barasvlershme me 7.7 vjet për nga cilësia në krahasim me shtetet që kanë standarde normale.

“Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18-vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në të njëjtin raport, tutje thuhet se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.

Ky raport ngriti edhe njëherë një çështje që veçse do të duhej t’i shqetësonte të gjithë.

Sistemi i Arsimit në Kosovë, nuk ka pasur progres substancial, ashtu siç parashihej në strategjitë milionëshe që hartoheshin për këtë fushë.

Kështu, përmirësimi i cilësisë në arsim nuk ndodhi, pavarësisht investimeve për trajnim të nxënësve e mësimdhënësve, si dhe pajisjen e disa prej shkollave me pajisje nga teknologjitë bashkëkohore.

Që nga pas lufta, Kosova ka pranuar fonde të shumta nga ndërkombëtaret, dedikuar institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë, si dhe organizatave joqeveritare, që synonin këtë gjë.

Por, pavarësisht donacioneve milionëshe, nuk vërehet përmirësim i gjendjes së arsimit në Kosovë.

Kjo mund ta rrezikojë edhe ndalesën e këtyre fondeve ndërkombëtare për arsim, gjë që veçse e kishte paralajmëruar shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalyia Apostolova.

BE mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për fushën e arsimit në Kosovë.

“Dështimi për të dëshmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në përgjithësi s’do të na linte mundësi tjetër përveç rikonsiderimin e mbështetjes financiare të BE-së. E mendoj se kjo duhet të bëhet shumë e qartë se nëse në të vërtetë nuk ka reforma që ne duam të presim, rregullat e procedurat e BE-së nuk na lejojnë të shpërndajmë fonde”, kishte deklaruar ajo gjatë prezantimit të një raporti vlerësues për zbatimin e Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë në vitin 2017.

Një nga Organizatat që fitoi projekte milionëshe për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë ishte Qendra për Arsim e Kosovës [KEC].

Madje, kjo Organizatë është absorbuesja më e madhe e donacioneve të kësaj fushe.

E themeluar qysh në vitin 2000, organizata joqeveritare KEC ishte përqendruar në ofrimin e programeve të trajnimit të mësimdhënësve, por me kohë përveç trajnimeve, organizata zgjeroi fushën e punës edhe në katër fusha kyçe, si përmirësimi i cilësisë së arsimit, të drejtat e njeriut, rrjetëzimi dhe pjesëmarrja në politikëbërje si dhe hulumtimet në fushën e arsimit.

Për ngritjen e cilësisë së arsimit, kjo organizatë përmend programet e trajnimit në shërbim për mësimdhënës dhe menaxherë të shkollave.

“KEC ka 68 programe të kësaj natyre nëpër të cilat kanë kaluar mbi 30,000 pjesëmarrës. Shumica e këtyre programeve të trajnimit janë zhvilluar në kuadër të projekteve ndërkombëtare dhe janë akredituar nga MASHT. Zhvillimi i mendimit kritik përmes leximit dhe shkrimit dhe Hap pas Hapi janë dy programet më të vjetra dhe ende më të kërkuara të trajnimit që ofron KEC, ndërsa përmbajtjet e tyre tanimë janë përfshirë në programet e Fakultetit të Edukimit”, thuhet në përshkrimin e aktiviteteve në faqen zyrtare të Organizatës.

Në bazë të llogaritjes të vlerave të projekteve që janë publike, kjo Organizatë që nga pas lufta e deri më tani ka menaxhuar me mbi 43 milionë euro për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.

Përveç këtyre, nuk është bërë publike vlera për disa prej projekteve tjera që janë implementuar nga kjo organizatë.

Kështu, në nivel vendi, KEC mbetet absorbuesja më e madhe e donacioneve për projekte që kanë të bëjnë me arsimin.

Kësisoj, edhe ata bartin një pjesë të përgjegjësisë për dështimin e ngritjes së cilësisë në fushën e arsimit.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar drejtorin ekzekutiv të kësaj Organizate, Dukagjin Pupovcin, i cili ka thënë se përkundër faktit që nuk janë të kënaqur me efektet e punës së tyre, nuk mund të marrin përgjegjësi për cilësinë e dobët të arsimit në Kosovë.

Ai ankohet se projektet e tyre po harrohen, menjëherë pas përfundimit të fazës implementuese.

Tutje, ai ka thënë se projektet e tyre, ndonëse kanë vlerë milionëshe ua kanë mundësuar që të punojnë vetëm me një përqindje të vogël të mësimdhënësve dhe nxënësve në vend.

“Në dy vjetët e fundit i kemi pajisur rreth 150 klasa me televizorë SMART, ndërsa 8000 nxënësve dhe 500 mësimdhënësve ju kemi siguruar qasje gratis në një platformë me video edukative përmes të cilave mund të zhvillohet mësimi në klasë dhe të mësohet në shtëpi. Nuk ka dyshim se ky është një kontribut modest për përmirësimin e cilësisë, përmes shfrytëzimit të teknologjisë bashkëkohore. Megjithatë, në Kosovë janë rreth 400,000 nxënës, ndërsa ne, në këtë rast, kemi punuar vetëm me 2% prej tyre. Pastaj, ne mund t’i dërgojmë televizorët në klasa, t’u japim nxënësve dhe mësimdhënësve qasje në platformë, t’i trajnojmë për përdorimin e saj, por shfrytëzimi i kësaj mundësie mbetet çështje e vullnetit të tyre dhe çështje e organizimit brenda shkollës”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Periskopi ju sjellë të plotë intervistën me drejtorin ekzekutiv të KEC’it, Dukagjin Pupovcin:

Nuk mund të marrim përgjegjësi për cilësinë e dobët të arsimit

 

Shpërndaje në: