Njeriu i dhunuar shkatërron qytetin

Njeriu i dhunuar shkatërron qytetin

Qysh nisi gjithçka? Nga një Shpërthim i Madh [ang.Big Bang]. Domethënë, nga një akt terrorist i kryer nga Zoti që raportohet se vuante nga depresioni kronik dhe vetmia.

Marrëdhënia e njeriut me terrorin është shumë më komplekse se sa që mund të mendohet fillimisht. Terrori nuk është thjesht një gjë që na ndjell frikë dhe nga i cili largohemi me refuzim. Terrori është një ngucje e domosdoshme që vadit ndjesitë më të forta brenda nesh, të përbartura  prej stërgjyshërve tanë qindra-mijëra vjet më herët.

Tashmë, terrori është edhe elementi më i rëndësishëm artistik në kinematografinë më të shpërblyer. Njerëzit e duan dhunën. Ose të paktën i duan rrëfimet për dhunën e për terrorin. Një ndër personazhet më simpatike në serialin popullor “Loja e Froneve” [ang.Game Of Thrones] ishte mizori Remzi Bolltën [Ramsay Bolton] i cili vret babain, ua hedhë qenve vëllain e posa-lindur, e përdhunon gruan, e të tjera e të tjera. Një tjetër personazhe e pëlqyer ishte edhe Daneris Targerjën [Daenerys Targaryen] që masakroi miliona njerëz të pafajshëm në sezonin e fundit.

Ndërkohë, filmi [Joker] që mori më së shumti nominime për çmimet Oscars, ‘humanizon’ kriminelin e njohur si ‘Hajgarexhiu’ [ang.Joker] i cili u shfaq së pari në librin komik ‘Batman’.

Regjisori Todd Phillips deklaroi për filmin se qëllim fillestar dhe përfundimtar e kishte pasur depërtimin në rrethanat që formësuan të keqen brenda Xhokerit. Edhe ai ishte njeri në fund të fundit. Xhokeri bëhet mizor vetëm pasi përballet me një vuajtje tepër të madhe që i shkakton shoqëria. Fillimisht ai është i mirë, përkujdeset me dashuri për nënën, s’i bën kurrkujt ndonjë të keqe duke u përballur në heshtje si një vetmitar me trishtimin.

E pranoj, nuk jam ndjerë moti më mirë gjatë një filmi se sa kur Xhokeri e vret nënën e tij, një njeri të rëndomtë e pasivisht abuziv. Pastaj, nuk jam ndjerë më mirë se sa kur ai vret gjatë transmetimit direkt komedianin Mërri Frenkllin [Murray Franklin, luajtur nga Robert De Niro] pasi ky e përqesh publikisht. Dhe në fund, s’jam ndjerë më mirë se sa kur shpërthen kaosi në një qytet [Gotham City] të mbushur me qese bërlloku [shkaku i grevës së punëtorëve të bërllokut]. Kur çrregullimi i heshtur i qytetit me karakter pasiv por mbytës bëhet përnjëherësh i gjithëdukshëm e aktiv.

Është një dhunë e bukur si një hakmarrje ndaj të gjitha mizorive të heshtura, pasive e të përditshme që kryejnë këta njerëz kur bëhen tubë, si shoqëri. Të rëndomtët. Është një dhunë e parëndomtë që nuk bëhet nga dhimbje të shtypura që përnjëherë bëhen shtypëse. Është një dhunë që nuk bëhet me vajtim, por me buzëqeshje e hajgare.

Xhokeri paraqitet në nisje të filmit me surrat të prishur e të angështuar. Pa maskë. Ndërsa në fund të filmit ka maskën e xhokerit por mban qëndrim triumfal pa pikën e ankthit apo keq-ardhjes. Ky është Xhokeri i vërtetë, njeriu me maskë, përpiqet të na thotë filmi. Njeriu pa maskë, me fytyrën e tij, është veç një qenie e pështirë dhe e shtypur, një qenie e rreme. Njësoj si njeriu i tubuar.

Filozofi Sllavoj Zhizhek himnizon gjendjen e mërzisë duke thënë se pikërisht mërzia është parakusht për kreativitetin. Ai përmend mërzinë e Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit, e të cilët për shkak se nuk iu rrihej vetëm, mëkatuan duke e prodhuar botën e mëkateve që njohim sot.

Në fakt, unë besoj që është terrori ajo gjendje që nxit krijimin. Terrori nxjerr ndjesitë tona më të shtypura dhe i mëshon shkelm të fortë vargonjve të shtypjeve. Terrori na e qet para syve strukturën e brishtë sociale e morale, në fakt brishtësinë e krejt rendit të gjërave duke na treguar forcën tonë individuale. Por, “Xhokeri” është terrorizues përtej dhunës. Ai është terrorizues thjesht duke mos qenë serioz, duke mos u paraqitur si serioz, dhe duke e marrë me hajgare krejt sistemin dhe vlerat tona. E terrori i tij është i bukur sepse është individual dhe nuk thirret në emrin e njëmijë-e-një vuajtjeve të komunitetit [edhe pse, filmi ia fut kot në disa skena patetike].

 

Shumica dërrmuese e terrorit derdhet në mënyrë pasive në fakt. Terrorizohen individë të caktuar sot duke u përqeshur nëpër rrjete sociale. Ose thjesht duke mos u përfillur. Ne u terrorizuam si komb në emër të vuajtjeve e sakrificës së popullit serb. Ua kishim marrë nga duart ‘djepin’ e kombit të tyre, Kosovën duke u riprodhuar si breshka gjigante spanjolle Diego që u raportua se e kishte shpëtuar specien e tij, Chelonoidis hoodensis nga zhdukja. Pra, dhimbja e shtypur e dhjetëra mijëra njerëzve, shkaku i pamundësisë për t’u hakmarrë individualisht, bëhet akt terrori nga një shoqëri ndaj tjetrës.

E megjithatë, është pikërisht ajo gjendje jo-terrori që angështon e mbyt njerëzit. Në rastin tonë, e kemi një qytet tepër të ngjashëm me atë të Gothamit [i cili bën referencë me Nju Jorkun e viteve ‘80], Prishtinën, po ashtu vend i gërditshëm e i çrregullt. Mosvet i ngushtë dhe me ngjyra tepër të vrugëta. Me ndërtesa shumë të ngjashme me ato të Gothamit. Me hapësira të ngushta e me bërllokun të shpërndarë gjithandej. Me punëtorët tanë që heqin bërllokun, paguhen veç nga 230 euro, stigmatizohen, e megjithatë nuk protestojnë.

Mendoj që Xhokeri nuk është rrëfimi për një njeri të mirë që bëhet njeri i keq. Është një rikthim te përsiatjet e Mersosë [Meursault-së, te ‘I Huaji’ i shkruar nga Albert Camus] gjatë kohës sa pret ekzekutimin në burg. Është një tallje me sistemin penal dhe me vlerat morale.

Shpërndaje në: