“Njëri me djegie në trup, për tjetrin nuk dihet asgjë”, mediat në Maqedoni shkruajnë për këngëtarët që po performonin në klubin e natës

Pas zjarrit që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka pësuar djegie në fytyrë e dorë dhe është me oksigjen, kanë informuar familjarë të artistit, raportojnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Aktualisht nuk ka të dhëna për këngëtarin tjetër të grupi, Andrejin si dhe anëtarët e tjerë.
Nga zjarri në diskotekën e Koçanit humbën jetën të paktën 59 persona dhe mbi 100 të tjerë u lënduan, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Sipas informacioneve fillestare, siç tha Toshkovski, zjarri ka rënë për shkak të mjeteve piroteknike të përdorura për efektet e ndriçimit në koncertin e grupit ADN.
Sipas informacioneve zyrtare në koncert morën pjesë rreth 1500 persona, pas së cilës ndodhi një rrëmujë për daljet.
Sipas pamjeve nga koncerti të shpërndara në rrjetet sociale, teksa grupi është duke kënduar, i shoqëruar me fishekzjarre skenike, një strukturë në tavan fillon të digjet, brenda pak sekondash ata tentojnë ta shuajnë zjarrin me mjete për shuarje, gjatë së cilës në mikrofon dëgjohet një zë që thërret “Të gjithë largohuni”.