Njerëzit thonë se filmi i Sia-s nuk është vetëm i tmerrshëm për t’u parë, por edhe i rrezikshëm

Njerëzit thonë se filmi i Sia-s nuk është vetëm i tmerrshëm për t’u parë, por edhe i rrezikshëm

“Music”, filmi me regji të këngëtares dhe tekstshkrueses Sia, u kritikua fill pas publikimit të trailerit në nëntor, por së fundmi kritikat janë bërë më të ashpra, sa njerëz të thjeshtë dhe profesionistë po kërkojnë bllokimin e tij.

“Music” është një film që përqendrohet te Music (Maddie Ziegler), një adoleshente me autizëm, e cila vendoset nën kujdesin e të motrës, Zu (Kate Hudson) dhe mikut të saj, Ebo (Leslie Odom Jr.). Kujtojmë se Maddie, kërcimtare, aktore dhe modele amerikane, fitoi famë ndërkombëtare pas pjesëmarrjes në këngët e Sia-s, “Chandelier” dhe “Elastic Heart”.

Në Rotten Tomatoes, “Music” ka një vlerësim shumë herë më të ulët se i shumëkritikuari “Cats”.

“Një dramë e rrënuar me zgjedhje të këqija të regjisorit. Le të vendosim një paruke të madhe dhe të pretendojmë se nuk ka ndodhur kurrë,” shkruan Adam White, një nga kritikët në Rotten Tomatos. “Kjo është tragjedia e ‘Music’, që askush nuk u fut në flluskën e Sia-s gjatë këtyre pesë viteve që po prodhohej filmi,” shkruan Kate Mossman.

Një tjetër kritik, Johnny Oleksinski, thotë se “Sia duhet ta lërë karrigen e regjisores dhe të rifillojë të lëkundë llambadarët sa më shpejt të jetë e mundur”, referuar këngës së saj “Chandelier”.

“Unë jam autik dhe adhurues i këngëvë të Sia-s. Teksa pashë debutimin e saj si regjisore në ‘Music’, u ndjeva i mbingarkuar me emocione, asnjë prej tyre nuk ishte i mirë. Ky film nuk është vetëm fyes,” thekson Matthew Rozca.

Nëpër komente online, njerëz të shumtë shkruajnë se filmi nuk mund të shihet dhe mbi të gjitha është i dëmshëm dhe fyes ndaj individëve me nevoja të veçanta. Ata theksojnë se portretizimi i fëmijëvë autikë është tallës, përpos faktit që luhet nga një njeri që në të vërtetë nuk është autik.

Njerëzit thonë se filmi i Sia-s nuk është vetëm i

“Pa shije dhe pa ndjenjë. Kushdo që është pjesë e këtij filmi duhet të ketë turp,” shkruan dikush. “Filmi është një akt dhune kundrejt njerëzve me spektrin e autizmit”, “Filmi më i keq që kam parë në jetën time. Sia gjeti stereotipet më të mëdha dhe u mor vetëm me ato. Është një mbeturinë”, “Si një njeri autik, ishte e dhimbshme ta shihja, në kuptimin që shkakton shumë dëm mënyra sesi paraqiten stereotipet e neurodivergjencës dhe si trajtohen ato. Të shmanget me çdo kusht” janë disa prej komenteve.

Variety shkruan se disa ditë më parë, në një postim në Twitter tashmë të fshirë, Sia kërkoi falje dhe u shpreh se “kishte dëgjuar njerëzit e gabuar” dhe “nuk ishte bërë kërkim i plotë” mbi spektrin e autizmit.

Përpos kritikave, njerëzit kërkojnë edhe heqjen e nominimeve në “Golden Globes”. “Music” u nominua për “Filmin më të mirë – muzikal ose komedi”, ndërsa Kate Hudson u nominua për “Aktoren më të mirë në një film – muzikal ose komedi”. Peticioni është firmosuar nga më shumë se 54,000 njerëz.

Njerëzit thonë se filmi i Sia-s nuk është vetëm i

Në nëntor, Sia u përball me kritika të shumta për shkak se Maddie Ziegler portretizon një personazh me autizëm, ndërkohë që nuk është autike në jetën reale.

“Është një turp kaq i madh që dikush me një platformë kaq kolosale e përdor atë për të përjashtuar aktorët me nevoja të veçanta dhe probleme të ndryshme,” shkroi një person në YouTube. “Unë kam qenë adhurues i punës suaj ndër vite, kështu që kjo është me të vërtetë zhgënjyese”.

Sia nga ana tjetër mbrojti veten duke thënë se ka punësuar njerëz me nevoja të veçanta dhe anëtarë të LGBTQ+. Asokohe, dikujt tjetër, që u shpreh se ka kaq shumë aktorë autikë, përfshirë edhe vetë komentuesen, Sia iu përgjigj me, “ndoshta ti je thjesht aktore e keqe”.

Shpërndaje në: