Njerëzit tani janë fiksuar me rregullin 60 sekondësh dhe betohen se fytyra e tyre duket më mirë se kurrë
Nëse edhe ju nuk keni lindur me një lëkurë perfekte, të pastër dhe të shndritshme, me siguri jeni në kërkim të sekretit të të pasurit të një lëkure të bukur dhe të pastër. Ndoshta nuk ka një sekret magjik, por ka disa metoda që ndihmojnë në dukjen bukur të lëkurës. Së fundmi, të gjithë po flasin për rregullin 60 sekondësh, që siç mund ta kuptoni ka të bëjë me larjen e lëkurës për 60 sekonda, për të patur një lëkurë të pastër dhe me shkëlqim.
Ky rregull rekomandohet nga estetistja Nayamka Roberts-Smith e LABeautyologist. Sipas saj, fytyra duhet të lahet për 60 sekonda, në mënyrë që përbërësit e pastruesit të depërtojnë në lëkurë.
“Grimi, papastërtitë dhe yndyra janë shumë të vështira për t’u larguar nga lëkura. Prandaj duhet që jo vetëm të pastroni lëkurën për të hequr produktet dhe papastërtitë e dukshme, por ta vazhdoni pastrimin për 60 sekonda duke pasur kujdes edhe për zonat që zakonisht i harrojmë, si: përreth hundës, poshtë mjekrës dhe rreth vijës së flokëve”, -është shprehur Roberts-Smith për Cosmopolitan.
Nëse kërkoni në Twitter hashtagun #60secondrule do të gjeni shumë njerëz që betohen se kjo gjë funksionon.
“E kam bërë këtë gjë për një muaj dhe kam vënë re se s’kam më gunga në ballë, lëkura është më e butë dhe më me shkëlqim, si dhe më janë reduktuar ndjeshëm puçrrat”, -shprehet një përdoruese e Reddit.
Megjithatë, sipas dermatologes Mona Gohara duhet të siguroheni që po përdorni pastruesin e duhur për llojin e lëkurës suaj, si dhe të keni pritshmëri realiste, pasi aknet nuk mund të zhduken me magji. Ky rregull nuk ka çfarë t’i bëjë gjenetikës, hormoneve apo faktorëve të tjerë që shkaktojnë aknet tuaja.
Mirëpo, ia vlen ta provoni, nuk humbisni asgjë, përveçse e pastroni lëkurën tuaj në thellësi.
Burimi: Cosmopolitan