Një zjarr i vogël dyshohet se u shndërrua në zjarr masiv, si u pëball Prevalla 10 ditë me flakët nëpër male
Një zjarr i vogël që panë banorët dhe vizitorët e Prevallës më 5 gusht, dyshohet se u shndërrua në zjarr masiv që dëmtoi sipërfaqe të mëdha të malit në këtë fshat turistik të Kosovës.
Sabri Bunjaku që kohën më të madhe të vitit e kalon në vilën e tij në këtë fshat, thotë se banorët panë zjarrin derisa shpërndahej me shpejtësi, jo larg shtëpive të tyre.
Pa mjete adekuate dhe masa mbrojtëse, Sabriu thotë se pronarët e shtëpive dhe bizneseve në Prevallë të Prizrenit u mobilizuan për ta shuar zjarrin.
“U munduam ta ndalim zjarrin me tërrnakopa [kazmë] dhe kaci… nuk kemi pasur mjete tjera”, rrëfen Sabriu për Radio Evropa e Lirë.
Por, flakët morën hov ditët që pasuan.
“Fati i mirë është që ditëve të fundit erdhën zjarrfikësit dhe punuan çdo ditë, tërë ditën. Edhe ata e kanë pasur shumë të vështirë”, thotë Sabriu.
Sipërfaqja që u dogj për më shumë se dhjetë ditë ndodhet në një pjesë malore që është e arritshme vetëm më këmbë.
Kjo, sipas autoriteteve, vështirësoi punën e zjarrfikësve.
Por, kur flakët iu afruan shtëpive në Prevallë, për shuarjen e zjarrit ndihmuan edhe një grup motoristësh.
Një ndër ta është Almendin Smaili.
Me motorin e tij malor, Almedini, ndihmoi zjarrfikësit që ta lokalizonin zjarrin.
Me gjithë rrezikun, me motorin e tij, ai dërgoi pandërprerë ujë dhe ushqim për zjarrfikësit.
“Mënyra më e thjeshtë dhe më efikase për t’i ndihmuar [zjarrfikësit] ka qenë që të vij me motor dhe të bart sa më shumë ujë dhe ushqim dhe çfarëdo që mundem”, rrëfen ai.
Në disa raste, Almendini thotë se ishte i rrezikuar nga flakët, gjatë rrugës për te vatra e zjarrit.
“Rreziku më i madh ishte kur kaloja me motor pranë lisave që ishin duke u djegur dhe në momentin kur flakët binin në tokë”, rrëfen Almendini.
Prevalla ndodhet në një lartësi rreth 1.700 metra mbi nivelin e detit. Gjatë gjithë stinëve të vitit vizitohet nga shumë vizitorë, si nga brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës. Disa vijnë për ecje malore e të tjerë për arsye shëndetësore për ajrin e pastër që ka.
Shumë shtigje të ecjeve malore në Malet e Sharrit nisin nga Prevalla.
Lokalizimi i zjarrit u bë i mundur vetëm me intervenim nga ajri. Të mërkurën, helikopterët e KFOR-it, punuan për disa orë rresht derisa arritën që ta ndalin pjesën më të madhe të zjarreve. Përveç dëmeve në ambient, nuk u raportua për dëme në njerëz dhe prona.
Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperature të larta – mbi 35 gradë – ashtu sikurse edhe rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përveç Preavllës, zjarre ka pasur edhe në pjesë të tjera të Kosovës, por janë shuar pas intervenimit të zjarrfikësve.
Krahasuar me Maqedoninë e Veriut që është përballur me zjarre të ashpra, në Kosovë, situata ka qenë e menaxhueshme./Radio Evropa e Lirë/