Një vit burgim me kusht ndaj të akuzuarit për kanosjen e prokurorit
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht Mehmet Lajqin i cili akuzohej se kishte kanosur prokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zef Prendrecaj.
Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi Dibran Jusufi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lajqi akuzohej se në korrik të këtij viti, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i veshur me jelek antiplumb e kishte kanosur prokurorin Prendrecaj në zyrën e tij, duke iu drejtuar me fjalët “Po të kisha armë me veti do ta kisha vra prokurorin në zyrë edhe me ditë që 100 vjet burg i kisha marrë”.
Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar prej 1 viti burgim, nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh i akuzuari Lajqi nuk kryen vepër tjetër penale.
“Andaj, gjykata bazuar në dispozitat ligjore dhe atë në nenin 4, 7, 8, 9, 10, 17, 38, 39, 40, 46, 47, 48, 49, 69, 70 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe neneve 230 dhe 364 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, të akuzuarin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet në periudhën prej 2 viteve nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale”, tha gjykatësi Jusufi.
Gjithashtu, i akuzuari Lajqi obligohet që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 20 për paushallin gjyqësor si dhe 20 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.
Kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, ndërsa palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 korrik 2024, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mehmet Lajqi akuzohej se më 4 korrik 2024, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, saktësisht në zyrën ku punon i dëmtuari- prokurori Zef Prendrecaj, e ka kanosur seriozisht të njëjtin gjatë detyrës zyrtare në lidhje me punën e tij zyrtare se do ta privojë atë nga jeta.
Aktakuza thotë se fillimisht i akuzuari Lajqi pa pasur asnjë thirrje zyrtare, kishte shkuar në zyrën e prokurorit-të dëmtuarit Prendrecaj, i cili e kishte pranuar në zyrë dhe i kishte dhënë njoftimet e duhura në lidhje me një lëndë penale, në të cilën tani i akuzuari Lajqi ka qenë palë e dëmtuar. Mirëpo, i akuzuari Lajqi pasi merr njoftimin nga prokurori lidhur me veprimet e ndërmarra në lëndën e lartpërmendur, me sjellje agresive, i veshur edhe me antiplumb fillon të bërtas me tone të larta dhe i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “Ju po mbroni kriminelet, ju duhet me dal tani në vend të ngjarjes të ma ktheni pronën, të mi ktheni sendet që gjenden në frigorifer, ju jeni kriminel sepse i përkrahni kriminelet”.
Mirëpo, siç thotë akti akuzues, edhe pse i dëmtuari Prendrecaj i kishte kërkuar që ta lirojë zyrën e tij, i akuzuari Lajqi kishte vazhduar me sjellje agresive dhe kanosje ndaj tij, duke refuzuar të dalë nga zyra, për çka tani i dëmtuari detyrohet ta thërrasë policinë.
Sipas Prokurorisë, edhe pas arritjes së policisë, i akuzuari Lajqi ka refuzuar ta lirojë zyrën duke rezistuar e duke u kapur për karrige, por pas vënies në kontroll nga zyrtarët policorë, largohet nga zyra e të dëmtuarit, e derisa i njëjti ishte duke u larguar nga zyra, në prezencë të tre zyrtarëve policorë (Bashkim Hyseni, Miftar Dukolli dhe Fadil Rukovci) i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët: “Po të kisha armë me veti do ta kisha vra prokurorin në zyrë edhe me dite që 100 vjet burg i kisha marrë”, me ç’rast nga veprimet dhe fjalët e përdoruara tek i dëmtuari është shkaktuar ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën e tij personale.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.