Një patentë fallco “patriotizmi” e Vetëvendosjes në Tiranë
Shkruan: Mero Baze
Një grup militantësh të Lëvizjes “Vetëvendosje” janë mbledhur sot në Tiranë të dënojnë si “tradhti” ndaj Kosovës takimin e tre kryeministrave të Ballkanit, atij të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët po përpiqen të prodhojnë një format të ri të bashkëpunimit rajonal, mbështetur mbi katër parime të Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë, qarkullimin e lirë të mallrave, qarkullimin e kapitaleve dhe fuqisë punëtore.
Në thelb, iniciativa është një përpjekje e secilit vend ballkanik për të përdorur mbështetjen Perëndimore për zgjidhjen e problemeve lokale. Ideja është të përdoren katër parimet bazë të lirisë europiane për të zgjidhur problemet mes njëri-tjetrit.
Për ta shpjeguar më thjeshtë këtë iniciativë duhet të shpjegojmë historinë e dështuar të heqjes së kufirit Shqipëri- Kosovë këto 20 vite.
Për 20 vite prej vitit 1999, çdo kryeministër i Shqipërisë apo i Kosovës sa herë vendoste të dukej patriot deklaronte se do hiqte kufirin Shqipëri-Kosovë, do bashkonin doganat, tatimet, sistemin energjitik, arsimor e broçkulla të tjera.
Ansjëherë nuk u bë asnjë hap. Për dështimet akuzonin njëri- tjetrin në fushata, por e vërteta e madhe është se heqjen e kufirit Shqipëri- Kosovë, Perëndimi e pengon si një masë garancie që i ka dhënë Serbisë kundër bashkimit Shqipëri-Kosovë.
Kjo gjë ka për të vazhduar pafundësisht, aq gjatë sa mund t’i punojë fantazia secilit se kur do të mbyllen bisedimet Serbi- Kosovë.
Për t’u hequr kufiri Shqipëri- Kosovë, pa mbaruar bisedimet, ndoshta të pambarueshme kurrë, mes Serbisë e Kosovës, inciativa e Mini-Shengenit ballkanik është e vetmja rrugë që mund ta shkrijë këtë kufi “de facto”.
Iniciativa parashikon që gjithë vendet e rajonit me njëra-tjetrën mund t’i bëjnë ato gjëra që kanë mundësi të bëjnë nga katër parimet kryesore. Fjala vjen, Kosova me Shqipërinë mund t’i realizojë të katërta këto parime.
Serbia me Kosovën mund të realizojnë dy nga këto parime (tregtinë mirë e kanë). Serbia me Maqedoninë mund t’i realizojnë të katërta. Bosnja me Serbinë mund të realizojnë një. Mali i Zi me Serbinë, Shqipërinë e Kosovën mund t’i realizojë të katërta.
Pra nëse ka një gjë patriotike, meqë u bë modë, që mund të bëhet konkrete dhe mund t’i japë fund kësaj gënjeshtrës patetike 20 vjeçare për heqje të kufirit Shqipëri-Kosovë, është pikërisht që palët mund të ndërbashkëpunojnë në nivele të pranueshme me njëra-tjetrën, në varësi të problemeve që kanë me njëra-tjetrën, duke zbutur kështu shumë nga problemet me të cilat duhet të merret BE apo SHBA në të ardhmen për gjëra madhore, siç është dialogu Serbi-Kosovë.
Mospjesëmarrja e Kosovës në këtë pikë i prish punë Shqipërisë dhe Kosovës, pasi djeg shansin që të bëhet heqja e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Pa Kosovën vërtet që ne shqiptarët nuk fitojmë ndonjë gjë të madhe nga Mini-Shengeni, por nuk humbasim ndonjë gjë.
Aman, para se të protestojmë si “patriotë” kundër kësaj iniciative, duhet të kemi guximin t’u themi shqiptarëve se ka vetëm një shans të heqim kufirin me Kosovën para se Kosova të pajtohet me Serbinë në mënyrë simbolike përmes marrëveshjes. Dhe ky shans është Mini-Shengeni.
Përndryshe do të na duhet të presim firmën e Beogradit e Prishtinës si të “pajtuar” për të hequr kufirin tonë.
Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, pasi Kosovën të lirë dhe të pavarur nuk e bëmë vetë, por na e bëri Perëndimi, SHBA, NATO dhe BE. Ata që na e bënë na e kanë vendosur këtë kusht. Kushti është që Serbisë t’i hiqet Kosova, por mos t’i jepet Shqipërisë.
I vetmi koncesion rajonal që na e bën “de facto” heqjen e kufirit është kjo iniciativë, e cila në finale dhe mund të dështojë. Por nga ky dështim nuk ka asnjë të fituar. Sidomos për ata që duan të vazhdojnë të kenë “patentën” e patriotizmit.
Pas pak kohësh Albin Kurti do të duhet të takohet me Vuçiqin, siç u takuan vartësit e tij me Gjuriqin duke pirë birra.
Askush nuk ka për t’i thënë tradhtar, edhe pse ky Vuçiq do të jetë. Ky që nuk njeh masakrën e Reçakut, ky që ne e tallim si “djalë shqiptari”, ky që i ka shërbyer birra Karaxhiqit dhe që ka në Bruksel e Uashington më shumë miq se Albin Kurti dhe në Serbi më shumë vota se sa Kurti në Kosovë.
Nuk kemi për t’i thënë tradhtar Albin Kurtit, se nuk e ka zgjedhur ai Vuçiqin në krye të serbëve. E kanë zgjedhur serbët, se i përfaqëson ata. Ashtu si një e katërta e kosovarëve ka zgjedhur Kurtin.
E vetmja gjë e përbashkët që shoh mes tyre si nacionalistë është një parrullë e mbështetësve të Kurtit në mes të Tiranës, ku shkruhej “Kosova, zemra e Shqipërisë”. Fiks siç e thonë dhe serbët, “Kosova, zemra e Serbisë”.
Njësoj e kanë retorikën.