Një pandemi e deglobalizimit

Një pandemi e deglobalizimit

Në këtë fazë, nuk mund të thuhet se sa e rëndë do të bëhet epidemia COVID-19 para se të ndërpritet përhapja, ose të dalë një vaksinë efektive, gjerësisht e disponueshme. Në çdo rast, nuk duhet të befasohemi nëse kriza çon në ndryshime të gjera globale, të rëndësishme nga pikëpamja historike.

PRINCETON – Shpërthimi i koronavirusit të ri, COVID-19, që filloi në Ëuhan, Kinë, mund të shndërrohet në një pandemi globale. Gati 50 vende kanë konfirmuar raste të virusit, teksa natyra e saktë e mekanizmit të transmetimit mbetet e paqartë.

Pandemitë nuk janë thjesht tragjedi kalimtare sëmundjesh dhe vdekjesh. Gjithëprania e kërcënimeve të tilla në shkallë masive, dhe pasiguria dhe frika që i shoqëron, çojnë në sjellje dhe besime të reja. Njerëzit bëhen edhe më dyshues, por edhe më besues. Mbi të gjitha, ata bëhen më pak të gatshëm të angazhohen me gjithçka që duket e huaj, apo e çuditshme.

Askush nuk e di se sa do të zgjasë epidemia e COVID-19. Nëse nuk bëhet më pak ngjitëse me ardhjen e motit të pranverës në hemisferën veriore, popullatat nervoze në të gjithë botën mund të duhet të presin derisa të prodhohet dhe të dalë një vaksinë. Një variabël tjetër kryesor është efektiviteti i autoriteteve të shëndetit publik, të cilët janë dukshëm më pak kompetentë në shumë vende, sesa janë në Kinë. Në çdo rast, mbyllja e fabrikave dhe pezullimet e prodhimit që tani po prishin zinxhirët global të furnizimit.

Prodhuesit janë duke ndërmarrë hapa për të zvogëluar ekspozimin ndaj dobësive të distancave të gjata. Deri më tani, të paktën, komentuesit financiarë janë përqendruar në llogaritjen e kostove për sektorë të veçantë: automobilistët të shqetësuar për mungesat e pjesëve të këmbimit; prodhuesit e tekstileve të privuar nga pëlhurat; shitësit e mallrave luksoze të mbetur pa klientë; dhe sektori i turizmit, ku anijet turistike, në veçanti, janë bërë vatra të përhapjes. Duke menduar pasojat afatgjata të krizës COVID-19, individë, kompani, dhe ndoshta edhe qeveritë, do të përpiqen të mbrohen me kontrata komplekse kontingjence.

Eshtë e lehtë të imagjinohet që produktet e reja financiare të strukturohen, për të shlyer pagesat e prodhuesve të automobilëve, në rast se virusi arrin një nivel të caktuar të vdekshmërisë. Kërkesa për kontrata të reja mund të nxisë flluska të reja, pasi mundësitë e fitimit shumëfishohen. Historia ofron precedentë intrigues për atë që mund të vijë më pas. Shikoni krizën e famshme financiare pas “manisë së tulipanëve”, në Hollandë midis viteve 1635 dhe 1637.

Ky episod është veçanërisht i njohur, sepse mësimet e tij u bënë popullore nga gazetari skocez Charles Mackay në librin e tij të vitit 1841, “Kujtime të deluzioneve jashtëzakonisht popullore dhe çmenduria e turmave”. Për Mackay-n, kriza e tulipanëve dukej se paracaktoi spekulimet e kapitalit në hekurudha dhe zhvillime të tjera industriale në Amerikën e Veriut dhe Jugut gjatë kohës së tij. Gjatë gjithë librit, ai përdor këtë episod me të gjithë humorin e tij, duke rrëfyer histori të marinarëve injorantë, që gëlltisnin një pasuri të vërtetë, duke ngatërruar tulipanët me qepë. Por siç na kujton historiania Anne Goldgar, Mackay nuk harroi të përmendte që mania përkonte me një vdekshmëri jashtëzakonisht të lartë të murtajës, e cila u përhap nga ushtritë që luftuan në luftën e Tridhjetë Viteve.

Murtaja goditi Hollandën në 1635, dhe arriti kulmin e saj në qytetin e Haarlemit, midis gushtit dhe nëntorit 1636, që është pikërisht kur nisi mania e tulipanëve. Nxitimi i kapitalit spekulativ në boçe lulesh u ushqye nga një dallgë e fortë fitimesh të papritura, që akumuloheshin tek trashëgimtarët e shastisur të viktimave të murtajës.

Tulipanët shërbyen si një lloj tregu për të ardhmen, sepse bocqet tregtoheshin gjatë dimrit, kur askush nuk mund të ekzaminonte karakterin e lules. Ata gjithashtu u bënë objekt i kontratave komplekse, siç është ajo që përcaktonte një çmim që duhet të paguhej nëse fëmijët e pronarit ishin ende gjallë në pranverë (përndryshe, boçja do të transferohej pa pagesë). Spekulimet financiare në këtë mjedis të egër, apokaliptik kishin lindur nga pasiguria. Por shpesh, kjo është interpretuar si provë e materializmit të shkaktuar prej frikës, me krizën e rëndë të shkaktuar prej luksit të pafe dhe materialeve ekzotike.

Tulipanët, në fund të fundit, vinin nga kultura e huaj e Turqisë Otomane. Ashtu si sot, epidemitë e murtajës së Evropës moderne krijuan teori të gjera komploti. Sa më pak e qartë origjina e sëmundjes, aq më e mundshme është që ajo do t’i atribuohet një ndikimi malinj. Qarkulluan histori për figura të liga me kapuçë, që shkonin derë më derë duke “vajosur” sipërfaqe me substanca infektuese. Të huajt – tregtarë dhe ushtarë – si dhe të varfërit e margjinalizuar u kryqëzuan si fajtorë. Edhe këtu pra, një burim i shekullit XIX ofron mësime të fuqishme për sot.

Në romanin e Alessandro Manzonit të vitit 1827, “Të premtuarit”, komploti arrin pikën e tij të lartë gjatë shpërthimit të murtajës në Milano në vitet 1630, që u konsiderua si një mallkim e futur nga të huajt, si edhe monarkia Habsburge spanjolle që sundonte Milanon. Romani u bë një katalizator i fuqishëm për nacionalizmin italian gjatë Rilindjes. Jo për habi, epidemia e COVID-19 tashmë po nxit rrëfimet e sotme nacionaliste. Për disa amerikanë, origjina kineze e sëmundjes thjesht do të ripohojë besimin se Kina paraqet një rrezik për botën dhe nuk mund t’i besohet të sillet me përgjegjshmëri. Në të njëjtën kohë, shumë kinezë do të shohin disa masa amerikane për të luftuar virusin, si masa me motivacion racor, dhe që bllokimin e ngritjes së Kinës.

Qarkullojnë tashmë teoritë e komplotit në lidhje me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, që sipas tyre po qarkullon virusin. Në një botë të përmbytur me dezinformacion, COVID-19 premton të sjellë edhe më shumë. Siç tregoi historiani holandez Johan Huizinga, periudha pas Vdekjes së Zezë në Evropë doli të ishte “zbehja e Mesjetës”. Për të, historia e vërtetë e asaj që po ndodhte, nuk ishin thjesht pasojat ekonomike pas pandemisë, por misticizmi, mungesa e racionalitetit, ksenofobia që sollën fundin e një kulture universaliste. Njësoj edhe sot, është plotësisht e mundur që COVID-19 të sjellë “zbehjen e globalizimit”.

Project Syndicate – Bota.al

Shpërndaje në: