Një muaj paraburgim për të dyshuarin nga Gjakova që e kanosi me armë e thikë dhe e rrahu gruan e tij

Një muaj paraburgim për të dyshuarin nga Gjakova që e kanosi me armë e thikë dhe e rrahu gruan e tij

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit G. G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës, më datë 26 shkurt 2025, në rrugën “Isa Grezda” në Gjakovë, i pandehuri në shtëpinë e tij, duke përdorur armë zjarri dhe thikë, ka kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, E.G., dhe të dëmtuarit I.H., duke i mbajtur të mbyllur për disa orë nën kërcënimin e armës. Gjithashtu, i njëjti ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij përmes goditjeve me thikë dhe ka mbajtur në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion në kundërshtim me ligjin. Arma dhe municioni janë sekuestruar nga ana e policisë, ndërsa i pandehuri është arrestuar dhe viktimat kanë marr trajtim mjekësor.

Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe i ndikimit në prova.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, më 26 shkurt 2025, dhe do të zgjasë deri më 28 mars 2025.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Shpërndaje në: