Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që iu gjet drogë në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit A.U., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Në njoftimin e lëshuar të gjykatës thuhet se në banesën e të dyshuarit ishin gjetur më 24 shkurt sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, një peshore si dhe 111 euro.
“I pandehuri pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që pas kontrollit nga ana e Njësitit Anti Drogë, në dhomën e tij janë gjetur dyzet e dy (42) qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe njëmbëdhjete (11) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10.09 gram, dy (2) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 2.15 gram, një (1) paketim najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 1.14 gram, një (1) paketim najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 1.83 gram, dymbëdhjetë (12) paketime najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 11.45 gram, pesëmbëdhjetë (15) paketime najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 7.39 gram, si dhe një kavanoz qelqi e cila ishte e mbushur me substancë të dyshuar narkotik të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 11.45 gram, po ashtu është gjetur një peshore digjitale ngjyrë hiri dhe të holla në vlerë totale njëqind e njëmbëdhjetë (111) euro, të cilat janë sekuestruar nga policia”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.