Një muaj paraburgim ndaj policit të dyshuar për plagosjen e tezakut
Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh zyrtarit policor Fatjon Hoti, nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” të familjarit të tij 16-vjeçar.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, thuhet se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.
Më tej, thuhet se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”.
Aty thuhet se dëshmitari ka deklaruar se distanca mes të dyshuarit dhe viktimës ka qenë afërsisht 2 metra.
Gjithnjë sipas kërkesës, i dyshuari është ekzaminuar dhe është konstatuar se gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij është e mirë.
Ndryshe, të martën Inspektorati Policor i Kosovës konfirmoi arrestimin e zyrtarit policor nën dyshimin për plagosjen e të miturit. Kurse, nga QKUK deklaruan se gjendja shëndetësore e të miturit është e rëndë.