Një kurorë për funebrën politike

Një kurorë për funebrën politike

Emisione me nga dy orë, përfshirë edhe në Shqipëri. Shpallje e tij ‘kosovarocentrik’, nga po e dini se kush. Reagime deri në Pandeli Majko e Mirela Kumbaro. Asnjë mitrovicas i ftuar ani pse protagonisti më i madh i kësaj jave kaloi mbi gjysmëshekulli në Mitrovicë, sot vend i shkretëruar. Asnjë dëshmitar i ftuar. Asnjë dosje e kontrolluar, apo e ndarë me publikun, ani pse të gjitha të disponueshme me vetëm një klik. Asnjë germë mbi faktin se vendimi i dënimit vinte nga EULEX-i, si për të krijuar klimën se dënimi ishte i pavend (nga të njejtit njerëz që shajnë EULEX-in pse s’po kapë komandantët!). Por pritni se nuk u krye. Prezantim si ‘lider i moderuar’, ‘lider i serbëve veriorë’ (gjë e pavërtetë minimum që 17 vite), e fare formalisht edhe si i dënuar me 9 vite. Krejt në fund, edhe atribute fetare, si ‘i penduar’ (nga Naim Rashiti) si dhe një kërkesë për homazhe, nga kufoma politike shqiptare që gjeti të vajtojë kufomën fizike serbe.

Ky ishte bilanci i raportimit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, njeriut që me bashkëkriminelët e tjerë ma vrau prag-adoleshencën. Raportim që në fund tejkaloi çdolloj parametri të quajtur me atë emër, për t’u kthyer në diskutim ditor e po të citojmë McLuhan-in dhe mendimin e tij mbi median, edhe në mesazh. Vdekje që rastisi të përkojë vetëm 24 orë ndërmjet me atë të Jonuz Musliut, një emër i UÇK-së në Luginë, vdekje që as iu afrua për kah buja. E të mos flasë për 40 milionët që paguam për 18 vite, që oliverët të kenë drita për të pastruar armët. Pra, jo vetëm selektim vdekjesh, por edhe purifikim e destilim të njeriut që edhe vetë indirekt pranonte të jetë i përfshirë në atë çka akuzohej. Kjo që sapo thash, mund të nxirret nga intervista e tij dhënë New York Times-it, vetëm një javë pas masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të qytetit, kur u vranë 10 shqiptarë, u plagosën dhjetëra të tjerë dhe u dëbuan mijëra.

‘Very bad things happened. I cannot support that, but just ask that you understand it. I was feeling very angry too that night.’ (‘Kanë ndodhur gjëra shumë të këqija. Nuk mund ta mbështes atë që ka ndodhur, por kërkoj nga ju ta kuptoni. Edhe vetë isha shumë i zemëruar atë natë’).

‘Mr. Ivanovic says his organization is opposed to expelling all the Albanians from the north side of the city in order to make it all Serbian, because that would invite more attacks from Albanians. (Z. Ivanovic thotë se organizata e tij kundërshton shpërnguljen E TË GJITHË shqiptarëve nga pjesa veriore dhe serbizimin ne tërësi te asaj pjese, meqë kjo do të çonte në sulme më të shpeshtuara nga shqiptarët). Linku i intervistës: http://www.nytimes.com/2000/02/10/world/serbs-nurse-rage-after-attack-in-kosovo-city.html

E shihni? Një njeri që së pari kërkon mirëkuptim për vrasje, meqë edhe vetë paska qenë i zemëruar, e që së dyti thotë se i kundërvihet shpërnguljes të të gjithë shqiptarëve. Deklamim i njeriut numër dhe kalkulim oportun. ‘Jo të gjithë’… sepse ‘mund të ngjajë’… Ndryshe kujt do t’ia ndiente, apo jo? Kaq më llogariste mua – atëbotë 12 vjeçar – liberali Ivanoviq. E për të kërkoi homazh mortja shqiptare politike.

Për njeriun që i frikësohesha pa e parë, meqë s’kishim televizor. Në fakt për njëmbëdhjetë muaj, korrik 1999 – qershor 2000, e pata parë vetëm njëherë: tek komuna në jug të qytetit, kur disa gazetarë shqiptarë po i serviloheshin me “Oli, Oli” përkatësisht teksa ky i budallallepste me shqipe të rrjedhshme. Masakra e 3 dhe 4 shkurtit është vragë e pashlyer në jetën time. Shoqja ime e klasës Mina, pa nënën e saj me zorrë të nxjerra jashtë deri në mengjes, kur edhe dha shpirt. Vetë Mina qe plagosur. Shokut tim të çerdhes, Luanit, Millan Ivanoviqi, mjek me betim Hipokrati, ia mbytë nënën e plagosur në sallë të operacionit. Moshatari im, Nderimi, u shkye prej bombës nga zverku deri në thembër. Ç’është e vërteta derisa nuk lexova intervistën më lart, kam pasur një prirje të besoj se më 3 dhe 4 shkurt 2000, të paktën nuk ka vrarë, pasiqë në veri ka pasur prezencë të fortë ndërkombëtare, e si intelokues me ndërkombëtarë që ishte, supozoja të mos ia ketë lejuar vetes gjithë atë komoditet e lotari veprimi. Pra, besoja se mbante përgjegjësi vetëm për ngjarjet e prillit 1999. Por pas intervistës më lart dyshoj edhe për 2000-n. Dhe kjo dhemb edhe më shumë sepse po i bije që po ia falim edhe luftën edhe pasluftën, madje duke kërkuar homazhe.

Homazhe! Për njeriun që m’i humbi tre gjysëmvjetorë, dhe fillin e përjetshëm me matematikën, meqë s’arrita t’i mësojë as thyesat, nga shkaku se s’vijova komplet klasën e gjashtë. Që nga ajo kohë në matematikë më është falur nota. Për njeriun që verbërinë e babait tim nga qëllim shërimi të jetës, e ktheu në prazmore ksenomane vetëmbrojtëse të mbijetesës. Kjo ngase kur dilnim të blinim harxhin, flisnim vetëm serbisht, duke iu buzëqeshur si robër, ani pse e dinin mirë kush jemi e çka jemi. Apo siç e thotë ajo fraza humorzezë: edhe ne e dinim që ata e dijnë. Për njeriun që kur dilnim me nënën, s’mund të flisnm as turqisht, meqë ishim paralajmëruar nga fqinji, axha Tahir, se merr vesh edhe turqisht.

Për njeriun që n’a ktheu në objekte gjynahi, të padenjë as për ushtrim dhune. Për njeriun që bënte ta pickoja babain tim kur nxirrte ndonjë fjalë shqip. Për njeriun që ndikoi të më ndalohet rrëshqitja në borë, në acarin e 99-s, dhe që kur tentova njeherë të rrëshqasë me një tablo çaji, si fëmiu i vetëm shqiptari i ngelur i lagjes, u shpullova fort nga një barabë serb, që më shau nënën turke e shqiptare. Për njeriun që kur me vete kishim edhe të ndjerën tezën Didare Deda (që ishte vajza e axhës së babait të Ilir Dedës apo kështu diçka), më duhej të bëja gjimnastikë për t’i thënë të mos flas shqip, meqë ishte shurdhmemece dhe fliste me zë të lartë (Ilir Deda sigurt di për dëbimin e tezes Didare, madje keqtrajimin e saj më 2000 por heshtë). Për njeriun që bëri që qenia të më atashohet vetëm në lodra me armë, nga të cilat aksidentalisht për pak sa s’humba njërin sy.

Mortja politike, le t’i bëjë homazhe muzgut të vet politik. Mos t’i vie inati se më shumë ka mbijetuar politikisht Ferid Agani se vetë. Nëse homazhin e do me muzikë klasike ia porosisim ‘Marche funebre’ të Shopenit. Vetëm se dellin e tij serbofil le ta shprehë në përkthime në Beograd, e të mos lëndoj plagët tona. Edhe pasuesit e mortjes politike, katundarë që ndryshojnë gjendje agregate nga të ngurtë në amorfe e të lëngët në djerrinën e lodhur semiurbane e kaotike, në skëterrën kulturore, le t’i orientojnë komplekset e tyre tjetërkah. Kriminelët do të mbesin përjetë kriminelë, dhe historia do t’i regjistrojë si të tillë.

Për fund, se kam çaren pa iu kthyer edhe njëherë krahasimit të kreut: nuk ia kam idenë se si do të reagojë kur të lirohet Azem Syla. Të paktën unë jo. Pos se nuk do ia zija për të madhe më për asgjë Nasim Haradinajt, e as ‘shahirave’ me armë nëse festojnë lirimin e tij, qofshin edhe ministra.

Shpërndaje në: