“Një kokoshkë më çoi drejt vdekjes”, operacioni në zemër të hapur i shpëton jetën 41 vjeçarit
Duhej të ishte një mbrëmje e qetë për Adam Martin, zjarrfikësin 41 vjeçar nga Cornwall, por rezultoi krejt e kundërta. Një veprim i shkujdesur, dhe në pamje të parë i parrezikshëm, si pastrimi i dhëmbëve me një fije të hollë metalike mund t’i kushtonte jetën babait të tre fëmijëve. Gjithçka nisi në shtator të vitit 2019, kur teksa shikonte një film me gruan e tij Helen, atij i ngeci në dhëmbë një kokoshkë. Pa u menduar dy herë, Adam e hoqi me anë të një fije metalike, e cila i shkaktoi fillimisht një infeksion në mishrat e dhëmbëve dhe më pas endokardit, një infeksion i rrezikshëm i shtres së brendshme të zemrës (endocardium).
“Kisha kaluar një ditë të vështirë dhe e vetmja gjë që doja ishte të më zinte gjumi në divan duke parë një film. Bashkëshortja ime kishte përgatitur kokoshka dhe kur më ngeci një, gjeta një fije të hollë metalike aty pranë dhe e hoqa. Të nesërmen pata gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve, por s’i kushtova shumë rëndësi.
Një javë më vonë fillova të shfaqja edhe shqetësimet e para. Ndihesha gjithë kokës i lodhur, zgjohesha natën qullë në djersë, kisha dhimbje të forta koke dhe takikardi. Mendoja se kjo gjë lidhej me stresin që kaloja çdo ditë në punë, por situata filloi të rëndohej akoma edhe më shumë kur rashë si në gjendje kllapie. Në këmbë e majtë m’u shfaqën disa flluska plot qelb, lezione Janeway më të vogla se 2 mm që shfaqen kur infeksioni qarkullon nga arteriet në pjesë të ndryshme të trupit”-rrëfen ai.
Mjekët e diagnostikuan me endokardit, një infeksion i shtresës së brendshme të zemres (endocardium-it) që zakonisht ndodh kur bakteret nga pjesë të tjera të trupit siç është goja përhapen nëpërmjet gjakut dhe fiksohen në pjesët e dëmtuara të zemrës. Nëse lihet i patrajtuar mund të shkatërrojë plotësisht valvulat e zemrës.
Adam u transferua në ”Spitalin Derriford” në Plymouth, rreth 129 km larg nga shtëpia e tij, ku iu nënshtrua më 21 tetor një operacion në zemër të hapur për të zëvendësuar valvulën e aortës së zemrës, e cila ishte dëmtuar nga infeksioni.