Një jetë e qetë dhe modeste
Micha Shagrir, një filmbërës izraelit, ishte thjehst një njeri i parëndësishëm e paqësor. Së fundi e pashë në Jeruzalem, qytetin e tij të dashur. Ishte afër fundit të jetës. Kishte kancer. E pyeta se si po e përballte faktin që do të vdiste.
“Mirë,” më tha me një buzëqeshje të ngrohtë, “Më është kujtuar një kryetitull i një gazete ku shkruhej: Marshall Tito ende po vdes.”
Është mirë të ndihesh i gjallë kur vdekja vjen. Të shkosh, me fjalë të William Butler Yeats, “krenar, syhapur dhe i qeshur në varr.” Një jetë e jetuar mirë, nuk lë vend për iluzione. Mendojeni jetën si një vendim. Një i urtë dikur ka thënë, “Jeta është thjesht një telash që e paraprin vdekjen.” [Shënim i përkthyesit: një qëndrim të ngjashëm e mbron edhe filozofi francez Albert Camus, i cili duke e qortuar Sartrin për angazhimin e tij politik, thotë se jeta në thelbin e saj është tragjike].
Unë jam përpjekur përgjatë kësaj telasheje, si shumë prej jush, të dashur lexues që pashmangshëm vuani. Kujtohuni se i detyrohemi për Magna Carta-n mbretit të keq Johnit. Mos harroni se më e zakonshmja është që diçka e pazakontë të ndodhë. Festojeni faktin që humori, oratoria politike dhe Kushtetuta, të gjitha po rigjallërohen shkaku i forcave negative që nuk kanë emër.
Kujtoni se këshillat e dhëna nga Einstein-i në një copë letre janë shumë më të rëndësishme se 1,5 milion dollarët që e blenë në ankand: “Një jetë e qetë dhe modeste sjell më shumë gëzim se ndjekja e parreshtur e suksesit që lidhet me një lodhje konstante.”
(Unë po dështoj tepër keq, në këtë aspekt, meqë ra fjala. Por kurrë nuk është vonë!)
Hebrejtë thonë: “Fillo të brengosesh. Dhe ndiqi detajet.”
Dhe hebrejtë janë ende këtej rrotull, duke u brengosur, duke shkaktuar telashe dhe duke qeshur, si Shagriri. Ditë pas dite paqja po vdes, por ende jo krejtësisht, mes izraelitëve dhe palestinezëve. Asgjë nuk vdes kollaj këto ditë.
Pra, ka shpresë dhe shkak për të festuar dhe për të qenë falenderues. Amerika është ende “aq e madhe, e egër, grindavece, e papërmbajtur, bujare, e guximshme dhe e mahnitshme,” siç deklaroi senatori John McCain, republikan nga Arizona këto ditë; dhe ende elitat anti-amerikane nëpër botë çirren: “Yankee të mallkuar, shkoni në shtëpitë tuaja – dhe merrini fëmijët tanë me vete!”
Dhembshuria është lodhur, ashtu si toni moral dhe i drejtë. Jeta është një dredhore, e jo një vijë e drejtë. Nga të gjitha virtytet, padyshim stoicizmi, mirësia dhe falja rënditen në majë – posaqërisht në kultura të pakënaqësive të lehta, të sqimës dhe të cytjeve hakmarrëse. Heshtja më duket një cilësor thuaj i harruar.
Por, ndoshta po gabohem. Ajo është gjithnjë një mundësi, dhe për rrjedhojë, një mundësi publike [shënim i përkthyesit: e politike].
Pastaj është ngushëllimi i pasojave të paqëllimshme. Merreni si shembull, votën e referendumit të Britanisë për ta lënë Bashkimin Evropian. Ky është një akt i jashtëzakonshëm e i vullnetshëm për t’u vetëlënduar nga një vend [Anglia] që njihej për pragmatizmin e tij. Asnjë fjalë nuk ekzistonte për një sjellje kaq të çuditshme, kështuqë u desh të shpikej një: Brexit.
Kjo, i dha shtytje nevojës për definimin e fjalës në fjalor. Kështu është definimi në inktank.fi: “E PApërcaktuara që negociohet nga e PApërgatitura në mënyrë që të arrihet e PAspeficikuara për të PAinformuarit.”
Nuk mbaron me kaq.
E prapë, kur vijmë te konsekuencat e paqëllimshme, ka një mundësi reale që Gjermania të ketë një ministër të jashtëm që quhet Cem Ozdemir pas zgjedhjeve të muajit të kaluar të cilat u shenjuan nga rritja e djathtistëve e ksenofobistëve të partisë Alternativa për Gjermaninë. Ozdemir, që ka prejardhje turke, është lider i Partisë së Gjelbër, tash në negociata me Kancelaren Angela Merkel. E njoh Ozdemirin – i cili është rritur në një familje të klasës punëtore – si njeri parimor. Ai do të ishte përgjigjja e duhur për Alternativën [e djathtë e ksenofobe].
E përmenda rigjallërimin e oratorisë. Në anën tjetër është senatori Jeff Flake, republikan nga Arizona, i cili i shpjegoi arsyet e tij për të mos garuar për ulësen e tij sërish: “Kurrë nuk duhet t’i marrim si ‘normale’ minimet e rregullta ose rastësore të normave dhe idealeve tona demokratike. Kurrë nuk duhet të pranojmë copëtimin e përditshëm të vendit tonë – sulmet personale, kërcënimin e parimeve, lirive dhe institucioneve, shpërfilljen flagrante për të vërtetën dhe njerëzoren, provokimet e pamatura, më së shumti për arsyet më të ndyra e të ngushta, arsye që nuk kanë të bëjnë asgjë me njerëzit të cilëve jemi zgjedhur t’iu shërbejmë.”
Nëse kjo nuk iu lëkund, i dashur lexues, unë nuk e di se çka tjetër mundet. Natyrisht, nëse gjithçka dështon, konsiderojini ato momente të bukura në jetën tuaj. Ato janë aty, rreth jush. Unë mund t’i kujtoj shumë prej tyre, kur ekzistenca ngjallet, si tronditjet nga tërmeti. | nytimes | përktheu Periskopi