Një i vdekur nga gripi sezonal në Klinikën Infektive
Një person i moshuar ka vdekur pasi është prekur nga gripi sezonal i tipit A, ndërsa nga dhjetori deri më sot në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 6 persona me këtë lloj të gripit.
Aktualisht në këtë klinikë është duke marrë trajtim vetëm një paciente, e cila është prekur nga gripi sezonal i tipit A.
F.B., e cila është në muajin e tretë të shtatzënisë, thotë se nga e marta e javës së kaluar për shkak të gjendjes së saj, ka qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë, ndërsa të premten është transferuar në atë Infektive.
Derisa i ka treguar simptomat ajo shprehet se po ndihet më mirë pasi që është duke u trajtuar me terapi.
Infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi për KosovaPress ka bërë të ditur se deri sot nga dhjetori janë konfirmuar 7 raste me gripin e tipit A.
Krasniqi tha se nuk ka situatë epidemiologjike të paktën deri në këto momente.
Ai shton si pasojë e gripit, një person i moshuar ka ndërruar jetë, teksa shton se ky pacient ka qenë i prekur edhe nga sëmundje tjera.
Infektologu tregon edhe disa nga simptomat e gripit sezonal për të cilat thotë se i prekuri mund t’i vërejë pas dy apo tri ditëve nëse ka pasur kontakt me ndonjë person të prekur më herët me këtë lloj gripi.
Derisa ende nuk është nxjerrë raporti me numrin e prekurve nga gripi sezonal, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike prej 1 tetor 2019 deri më 4 dhjetor 2019 tregojnë se në këtë institut janë raportuar gjithsej 9545 raste të dyshimta me grip, 1504 raste infeksione respiratore akute dhe 9 raste me infeksion të rëndë respirator akut(SARI).
Sipas IKSHPK-së, këto raste janë raportuar nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të atyre me popullatë serbe, dhe numri më i madh i rasteve të raportuara kanë qenë nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por që nuk kalon pragun epidemik.
Prej 1 tetor 2019 deri më 4 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 25 mostra të dyshimta në grip.
Ndërsa, zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva i ka thënë KosovaPress-it se aktualisht janë duke përgatitur të dhënat për të prekurit nga gripi sezonal nga data 4 dhjetor e deri më tani./