Një histori me amerikanë, rusë dhe shqiptarë
(Shkruan: Valmir Elezi)
Deri në përfundimin e luftës së dytë botërore qëndrimi amerikan ishte i qartë: të fitohej lufta dhe të ktheheshin në shtëpi. Por, një krizë që kishte filluar të lindtte akoma pa mbaruar kjo luftë do ta ndryshonte rrjedhën e historisë botërore.
Në verën e vitit 1946, sovjetikët rigjallëruan sulmet mbi Turqinë në disa drejtime: propagandë që e akuzonte për bashkëpunim me Gjermanisë naziste, kritika kundër Ankarasë se kishte braktisur rrugën qemaliste, si dhe përqëndroi trupa ushtarakë në kufirin sovjeto-turk. Pra, qëllimi ishte të diskreditohej qeveria turke në sytë e opinionit perëndimor, për ta detyruar të lidhte marrëveshje me Bashkimin Sovjektik, veçanërisht për çështjen e ngushticave. Një nga synimet ishte ndërtimi i bazave pikërisht në Dardanele dhe Bosfor, si dy porta midis Detit të Zi dhe Mesdheut. Drejtuesi i Kremlinit, Stalini, i shihte ato si çështje prestigji.
Në një telegram sekret të asaj kohe për sekretarin e shtetit nga Nënsekretari Dean Acheson shprehte bindjen se: “Ka ardhur koha kur ne të vendosim se duhet t’i rezistojmë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion çdo agresioni sovjetik”. Acheson ishte i bindur atëkohë se fjalët dhe veprimet do të sillnin bindje për Bashkimin Sovjetik. Këtë politikë, me qëllim të dekurajimit të Kremlinit, e mori përsipër ta zbatonte presidenti, Harry Truman.
Krahas mbështetjes dhe deklarimit të ndihmës amerikane për Turqinë, u shënua edhe një moment historik: vendosja në mënyrë të përhershme përhershme në tetor të vitit 1946 e luftë-anijeve amerikane në Mesdhe. Ky ishte edhe fillimi i angazhimit të përhershëm ushtarak amerikan rreth e qart Europës dhe momenti i krijimit të Flotës së VI amerikane në Mesdhe. Jo vetëm kaq, por ky ishte edhe momenti i tërheqjes së sovjetikëve nga kërkesat e tyre, siç ishte ajo për thirrjen e një samiti për rishikimin e Konventës së Montreux-së (1936) që i jepte Turqisë pushtet të madh në kontrollin e ngushticave.
Kjo flotë, për dekada më radhë, i ra rreth e qark Europës dhe në një moment u bë pjesë e pandashme edhe e historisë së shqiptarëve.
Në përbërjen e kësaj flote ishte edhe aeroplanmbajtësja me emrin e presidentit të 26’të amrikan. Gati gjashtë dekada pas “krizës turke”, ushtria amerikane drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë dhe avionët niseshin edhe nga kuverta e “Theodore Roosevelt”. Pra, një aleancë ushtarake e shteteve më të fuqishme po ndihmonte një vend të vogël, që as nuk ishte anëtar i saj.
Vite më vonë, rivaliteti është rikthyer sërish dhe vërehet edhe në Ballkanin Perëndimor. Rusia është prezente në shumë ngjarje që ndodhin përreth nesh. Pra, kur flasim për ndikimin rus në rritje nuk duhet ta shohim atë vetëm në kufijtë e shteteve me të cilat kufizohet gjeografikisht kjo federatë dhe që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ai paraqitet edhe më larg, me qëllime për të penguar planet perëndimore për zgjerim politik dhe për aleanca ushtarake. Këto qëllime nuk janë të fshehura sidomos në rajonin tonë.
Serbia është aleati shekullor i Rusisë dhe përveç mbështetjes së vazhdueshme politike në arenën ndërkombëtare, viteve të fundit është intesifikuar edhe mbështetja ushtarake, e cila shihet me shqetësim nga shtetet tjera në rajon. Edhe gjysma e Federatës së Bosnjë Herecegovinës, pra Republika Serbe si një nga dy entitetet e saj, e kërkon mbështetjen ruse. Rusia ka qëndruar afër me liderët e Republikës Serbe të cilët vazhdimisht kanë shfaqur hapur kundërshtimet e tyre me zyrtarët perëndimorë.
Në Ballkanin Perëndimor, të painkuadruar në BE, shqiptarët duket se janë të vetmit që shfaqin orientim të qartë properëndimor në politikën e jashtme. Kjo nuk vlen vetëm për dy shtetet, Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për shtrirjen e tyre në shtete tjera në këtë rajon gjeografik.
Faza përfundimtare e dialogut është një mundësi për Bashkimin Europian, i cili ka përjetuar zgjerimin e fundit para një dekade, që të tregojë kufijtë e tij dhe më shumë rolin në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, kjo mund të shërbejë edhe si një njohje për rolin gjeopolitik të shqiptarëve në rajon. Deri më tani kjo nuk është vërejtur, por këto mund të arrihen vetëm përmes Shteteve të Bashkuara, që kanë rol të pazëvendësueshëm për shqiptarët, rajonin tonë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Çuditërisht, BE nuk ka nguruar të tregojë hapur se parapëlqen që roli prijës i këtij procesi të mos i merret nga Shtetet e Bashkuara. Në mungesë të unitetit në Perëndim, mund të krijohen rrethana që i shkojnë në favor përpjekje ruse përreth nesh.
Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet parë vetëm si një marrëveshje e dy vendeve, por ajo shtrihet pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe prek edhe rivalët e vjetër. Duket se është koha për një vendosmëri të re amerikane.
- Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.