Një film për konfliktet brenda unit

Një film për konfliktet brenda unit

Humbja e diçkaje që ka vlerë për ne, humbja e vendit të punës apo humbja e një personi të dashur, është një nga momentet që secili nga ne përballet në jetë. Si natyrë njerëzore priremi që për të gjitha këto fajin ta kërkojmë diku tjetër dhe jo në vetën tonë. Kjo shumë herë shkakton konflikte brenda unit dhe ndërdijes, ku pastaj e gjitha manifestohet në mënyra të ndryshme, të cilat kur shikohen duken mjaft absurde.

Këtë përpiqet ta tregojë filmi i regjisorit Gazmend Nela, me skenar nga Gazmend Nela dhe Arian Krasniqi, që me një titull pune quhej “Histori maje kulmi”.

“Lumi, personazhi i filmit, për shkak të mosbërjes paqe me vetën dhe në vazhdimësi të luftës që ka brenda, ai ka krijuar një realitet të tij, që është shumë ndryshe nga ai që e rrethon. Por një takim me Yllkën, e cila dëshiron t’i kthehet, ajo që ka ‘humbur’ në të kaluarën, ndryshon gjithçka te Lumi dhe futet në një rrugë e cila nuk ka kthim prapa. Pra është një film që trajton humbjen dhe pasojat e saj. Përndryshe është një udhëtim i dy shpirtrave të trazuar brenda një dite, në një qytet të mbushur plot sorra”, rrëfen regjisori Nela.

Kasta e filmit përbëhet nga aktorë shumë të talentuar, të moshave të ndryshme. Xhevded Doda, Mona Mustafa e Art Lokaj, janë këta tre që

bartin barrën kryesore të filmit me personazhet e tyre si Lumi, Yllka dhe Mali. Po ashtu janë dhe rolet tjera episodike si Safete Rugova, Sylejman Lokaj, Ismet Azemi, Mevlyd Osmanaj dhe të tjerë, me të cilët regjisori shprehet të jetë ndarë shumë i kënaqur.

Siç tregon Nela, 24 ditë xhirimi ka pasur filmi dhe gjithë xhirimet janë bërë ne Prishtinë. Këtij xhirimi i ka paraprirë edhe një fazë përgatitore që ka shumë rëndësi. Përgatitjet apo në gjuhën e filmit paraproduksioni, ka zgjatur rreth gjashtë muaj para se të fillonin xhirimet. Në këtë fazë është dashur të kompletohet kasta e aktorëve, njerëzve pas kamerave dhe gjetjen e vendeve të xhirimit. “Sa ma shumë që punohet në këtë fazë atëherë ajo e xhirimit është shumë më e lehtë”, thotë regjisori.

Buxheti i filmit është llogaritur mbi dyqind mijë euro, por nga Qendra Kinematografike e Kosovës është financuar me 65 mijë euro, kurse pjesa tjetër është bashkëprodhim i kompanive filmike me serviset e tyre dhe që kane mundësuar xhirimin dhe finalizimin e projektit. Filmi është prodhim i kompanive Frame Production, Ikonë Studio nga Kosova dhe nga Maqedonia Pigmento Studio .

“Sfida filmi ka pasur qysh nga fillimi, prej kompletimit të buxhetit deri në xhirim. Me një orar të ngjeshur çdo ditë, frika nga koha (klima) mos po bie shi, apo a do të ketë diell, xhirimet gati të tërë filmit në eksterier dhe në lokacione reale, ku nuk kemi mundur të kontrollojmë njerëzit, pra mund të them se i tërë filmi ka qenë një sfidë. Mos të harrojmë se ky film nuk do të realizohej pa ndihmën e tërë atyre që kanë punuar, si ata para kamerës dhe pas saj. Për shkak të buxhetit të ulët të filmit, gjithë këta kanë ardhur për shkak pasionit që kanë për filmin dhe lirisht mund të them se ky film është një produkt i dashnisë së gjithëve ndaj filmit”, thotë regjisori.

“Histori maje kulmi” është në mesin e gjashtë filmave kosovarë që do të prezantohen para jurisë së Berlinales në Lubjanë, duke pasur shansin kështu të fitojnë një premierë në këtë Festival prestigjioz, mundësi kjo të cilën regjisori e vlerëson lart.

“Shpresoj që ky film t’ju pëlqej selektorëve dhe të propozohet për Festivalin e filmit në Berlin. Është një nga festivalet më prestigjioze në botën e filmit

dhe shfaqja e filmit në këtë Festival kish me qenë shumë e mirëseardhur për mua, por duhet të presim deri në përgjigjen e tyre. Mirëpo na nuk do të ndalemi, filmin do ta dërgojmë edhe ne festivale tjera, ku po planifikojmë që edhe premiera të bëhet në njërin nga këto festivale”, pohon mes të tjerash regjisori, që thotë se planet janë që filmi të ketë një distributor dhe të ketë shpërndarje sa më të madhe, si në festivale, kinema dhe pastaj të drejtën e shfaqjes në televizione.

Sipas tij, i takon publikut të identifikojë veçoritë e këtij filmi dhe ta vlerësojë atë, por zotohet se filmi sjell një tregim interesant, ku secili mund ta gjej veten.

/zeri.info

Shpërndaje në: