Një drenicak – mes të qenit qytetar dhe idiot
Duke e ditur se reaksioni më i vogël ndaj të drejtës së tij absolute mbi profetin Muhamed do të jetë, ndoshta një sulm fizik (natyrisht një çmenduri si e tillë)…Pse? Sepse, kur debaton me ‘shpellarët’ e tu drenicakë, duhet ta dish se reaksioni më i pakët mund të jetë një sulm. Sepse, ata janë shpellarë, a po? Ama, Azemi e di mirë që drenicakët nuk janë shpellarë dhe nuk kanë vuajtur për mungesë poetësh e shkrimtarësh nëpër vite, sa t’ia xhelozojnë aq shumë atë copë romani.
Si është të veprosh me dy koncepte: qytetarinë (lirinë e shprehjes) dhe idiocinë (veprimin për të mirën personale pa e menduar efektin e tij të përgjithshëm).
Pavarësisht se mund të jesh ose të bëhesh një shkrimtar i madh, një gazetar i madh, një politikan i madh…nga Drenica, dhe arrin të krijosh një shoqëri në ‘filozofinë urbane’ të Prishtinës e gjetkë, në sytë e “tyre” gjithmonë do të ngelesh një drenicak, në mos katunar, do jesh një drenicak qytetar ose idiot.
Kjo, sepse Kosova ende nuk është çliruar nga qytetaria dhe katunaria e saj, koncepte të krijuara sidomos pas luftës (e që nuk kapin veç drenicasit, por edhe prishtinasin nga Grashtica ose Makoci për shembull).
Dhe nëse ti ke arritur të dalësh nga Drenica katunare në Prishtinën qytetare, të të shitet romani e të kesh pak famë, kjo s’të jep të drejtë që ata që i ke lënë prapa në Drenicë, të jenë shpellorë, pse qenkan myslimanë, ose ta zëmë të pashkolluar. Ose pse jetuakan në Abri ose Rezallë.
Prandaj, me të drejtë një shoqe i shkruan Azem Deliut se shkrimtari duhet ta njohë peshën e fjalës më shumë se gjithë të tjerët. Sidomos kur ai u gëzohet arritjeve të tija letrare duke lënë pas popullin e tij shpellor drenicak.
Shkrimtarë të mëdhenj besimtarë i ka frymëzuar religjioni, si Dorothy Sayers, e cila madje thoshte se “krishterimi u jep sens novelave të saj”. Pra, nuk është ndonjë shpellarizëm që të jesh shkrimtar mysliman, shkrimtar i krishterë, shkrimtar hebre ose shkrimtar ateist, ashtu si diçka që nuk është shpellarizëm të jesh drenicak mysliman, katolik, gjakovar e pejan…
Por, edhe nëse si shkrimtar arrin të kapësh një sukses që bashkëmoshatarët e tu shpellarë nga Drenica nuk kanë arritur ta kapin për x arsye, kjo nuk të jep të drejtë të mendosh se drejtësia absolute e konceptit që proklamon Ateizmi i Ri, qëndron krah teje. Përveç, nëse dëshiron të shitesh një Selman Rushdie në Skënderaj.
Kjo nuk nënkupton që të mos shprehëh mendimin tënd mbi profetin Muhamed dhe të thuash ç’të duash për të, e ruana Zot, për këtë të hash ndonjë shuplakë. Ama, të rritesh në një rreth ku 95 për qind e popullsisë i takojnë një feje dhe të godasësh atë fe në atë që ajo e konsideron si blasfemi dhe ta bësh këtë në emër të asaj se vetëm ti je emancipuar dhe gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ti mbeten shpellorë, është e gabueshme.
Sidomos, kur i thua vetes një farë shkrimtari.
Megjithëkëtë, Azemi, si krejt njerëzit, ka të drejtë të mendojë ose mos mendojë çdo gjë për Muhamedin ose Jezu Krishtin. E sidomos, te bëj blasfemi në një ambient ku potenciali për të marrë çmimin ndaj blasfemisë është një sulm fizik, që për mua mbetet çmenduri.
Kur kritiku pakistanez Junaid Jamshid ka blasfemuar pikërisht me rastin e Aishes, ka treguar se e ka ditur rrezikun që i vjen paraprakisht nga kjo njashtu si Selman Rushdie me ‘Vargjet satanike’.
Por ata nuk janë viktimizuar me ndonjë paramendim. Sepse të fyesh profetin Muhamed në Pakistan, nuk është modë, është rrezik.
Sulmi fizik ndaj Azemit është turp, njashtu siç është turp për Azemin, i cili më mirë se kushdo duhet ta njoh peshën e fjalës, të thotë se të gjithë ata që nuk ia pëlqejnë romanin dhe nuk iu bën aspak në cilën gjuhë po përkthehet, janë shpellorë.
Sepse dikush preferon ta lexojë letërsinë krishtere të Sayers e dikush letërsinë myslimane të dikujt e dikush letërsinë e bashkë me të mendimet ateiste te dikujt.
Ateizmi i Ri, ka krijuar ekstremizmin e tij, që është i njëjtë më ekstremizmat teiste. Pra nëse një teist është i gatshëm të ma jap një grusht hundëve për shkak të mendimit me të cilin është rritur, kjo vjen si rezultat i reaksionit ndaj mendimit tim blasfemues apo ateist apo çfarëdo qoftë, qe për mua është absolut, gjithashtu (si mendimi i tij).
Idiocia, vjen nga i lashti Pericles. Dhe përshkruan veprimin e individit kur i konvenon diçka për vete dhe nuk mendon për të mirën e përgjithshme.
Sfidimi i qytetarisë, bëhet kur mohohet liria e shprehjes. Ama liria e shprehjes, nënkupton edhe që unë te tregoj për shembull se besoj në Muhamedin si profet dhe kjo s’më bën të ndihem aspak shpellor. Pse duhet të ndjehem shpellor nëse e besoj Muhamedin ose e dua Homerin?
Në një ligjeratë të profesor Peter Bradley, ku shkruan për lirinë e shprehjes dhe idiocinë, në fund pyet se si do të na shihte Pericles nëse do të ishte në mesin tonë?
Si do të ndihej Pericles nëse do të ecte sheshit ‘Adem Jashari’ në Skënderaj? A do na konsideronte qytetarë apo idiotë?