Një dokumentar për të pathënat e Lady Diana-s: Princ Harry dhe William nuk do ta presin mirë
Sikur të mos mjaftonin të gjitha problemet me të cilat është përballur tani familja mbretërore, nga infektimi i princit Charles me koronavirus e deri te gjyqi i Meghan Markle dhe princ Harry-t me tabloidët britanikë, pritet që një dokumentar me katër pjesë të publikohet së shpejti. Ky projekt, i quajtur “Being Me: Diana” pretendon se Lady Diana u përpoq të vriste veten.
Sipas The Sun (via Cosmopolitan) dokumentari “do të tregojë për betejat e shëndetit mendor, çrregullimet e të ngrënit, martesën e palumtur me princin Charles dhe fëmijërinë e vështirë” të Diana-s. “Being Me: Diana” do të shfaqet në Netflix dhe “do të përmbajë filmime të papublikuara më parë nga bisedat e Diana-s me njerëz të afërt” për t’u përqëndruar te “trazirat e brendshme përpara se të ndahej zyrtarisht nga princi Charles”.
Një burim pranë familjes mbretërore u shpreh:
“Mbretërorët do të refuzojnë të marrin pjesë ashtu si edhe familja e Diana-s. William dhe Harry do të mërziten dhe inatosen shumë. Veçanërisht Harry sepse ai është duke bashkëpunuar me Netflix. Në këtë kohë, mbretërorët pësuan një goditje nga largimi i Harry-t dhe Meghan-it dhe koha nuk është e përshtatshme.”
Për momentin, projekti nuk është përfunduar dhe as nuk është shitur diku, ndërsa familja mbretërore nuk ka reaguar.
– Përshtatur nga Cosmopolitan