Një alternativë bimore me efekt aspirine, provoni farat e domates për mpiksjen e gjakut
Disa studime klinike, kanë zbuluar se farat e domates përmbajnë një xhel natyral, i cili përmirëson qarkullimin e gjakut dhe parandalon mpiksjen e tij.
Kjo substancë që nuk ka as ngjyrë dhe as shije mund të shtohet edhe në ushqime të tjera, pa ndryshuar karakteristikat e tyre.
Xheli natyral i farave të domateve është tashmë në përdorim në disa pije dhe lëngje frutash dhe pritet të përdoret edhe në ushqime të tjera.
Substanca ka marrë aprovimin e autoriteteve evropiane të shëndetit, sipas të cilëve ajo përbën një alternativë më të shëndetshme të aspirinës kundër mpiksjes së gjakut.
Mjekët kardiologë shpesh u rekomandojnë pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare të marrin një aspirinë në ditë.
Ky medikament është i njohur për përmirësimin e qarkullimin dhe parandalimin e mpiksjes së gjakut.
Megjithatë aspirina ka një efekt anësor të dëmshëm.
Pas një periudhe të caktuar, ajo dëmton stomakun dhe nxit formimin e ulçerës.
Farat e domates kanë të njëjtin ndikim në qarkullimin e gjakut por pa efekte anësore.
Përmirësimet që ofrojnë farat e domates vërehen që tre orë pas tretjes.
Zbulimi i rolit të farave të domates dhe xhelit që ato përmbajnë u krye nga Instituti Rowett.
Ky institut ka analizuar gjithashtu edhe ndikimin pozitiv të regjimit mesdhetar të ushqyerjes.
Disa prej bazave të këtij regjimi ushqimor që është shumë i mirë për zemrën janë: vitamina C, acidet yndyrore Omega-3, yndyrnat e shëndetshme dhe antioksidantët.
VLERA TË TJERA TË FARAVE TË DOMATES
Farat e domates përmbajnë një sërë mineralesh dhe vitaminash të dobishme në trajtimin e disa sëmundjeve.
Ato janë të dobishme për uljen e kolesterolit sepse përmbajnë shumë fibër.
Farat e domateve ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut në mënyrë efikase.
Ndërkohë, antioksidantët luftojnë radikalet e lira që nxisin inflamacionin.
Me konsumin e farave të domateve, imuniteti përmirësohet ndjeshëm dhe bëhet më pak i brishtë ndaj infeksioneve dhe virozave.
Farat e domates janë të pasura me vitaminë K dhe kalçium.
Rrjedhimisht ato rekomandohen për përmirësimin e dendësisë kockore.
Një tjetër përfitim që vjen nga farat e domates është përmirësimi i shikimit dhe shëndetit të syve.
Kjo ndodh sepse farat e domates janë një burim i shkëlqyer i vitaminës A.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/