Nisin takimet VMRO – VLEN, për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut

Nisin takimet VMRO – VLEN, për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski është takuar me liderët e koalicionit “VLEN” – Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi lidhur me negociatat për Qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut.

Oferta fillestare e Mickoskit janë katër, maksimum pesë pozita ministrash.

VLEN pretendon pesë deri gjashtë ministri dhe kryeparlamentarin, pasi sipas tyre, dy nga pozitat kryesore të shtetit, presidenti dhe kryeministri, tashmë i takojnë VMRO-DPMNE-së

Nga VMRO-DPMNE kanë mbërritur njoftime se VLEN ka shprehur interesimin për Ministrinë e Shëndetësisë, që do t`i takonte krahut të Taravarit, postin e Zv/Kryeministrit për Sistem Politik që do të shkonte tek Mexhiti, Drejtorinë e Doganave, kurse Alternativa thuhet se pretendon ekonominë dhe arsimin kurse Besa, kulturën.

VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se Kryeparlamentari i ardhshëm do të jetë nga kjo parti, pasi kanë 58 mandate. Varësisht shifrave dhe peshës së ministrive do të varet edhe shpërndarja e pozitave të drejtorëve për koalicionin “VLEN”.

Por, partia e Mickoskit mbetet e prerë se MPB-ja, Financat dhe Ministria për Transport dhe Lidhje do të jenë të VMRO-së.

Por, nëse në qeveri futet edhe Lëvizja “Znam” e Dimitrievskit, kjo parti do të ketë një ministri.

Pas paralajmërimeve të Mickoskit se ekziston mundësia që VMRO-DPMNE të ketë 61 deputetë, tashmë po spekulohet se bëhet fjalë për deputetë nga partitë që edhe paraprakisht kanë ndryshuar koalicionet. Përmenden disa parti që kanë qenë pjesë e koalicionit me LSDM-në, por edhe parti të bashkësive më të vogla etnike që janë pjesë të Frontit Evropian.

Gjatë së premtes, kreu i Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljas, përgënjeshtroi pohimet se kjo parti do t`i ndryshojë “ngjyrat” koalicionuese.

“Respektojmë marrëveshjen me Frontin Evropian. S`kemi kontakte me VMRO-në dhe VLEN dhe as që mendojmë për një gjë të tillë” – ka deklaruar Bejxhan Iljas.

Pas fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, Mickoski mblodhi edhe partnerët e koalicionit, ku u shpreh se ka marrë mbështetje për nisjen e negociatave për përbërjen e re qeveritare.

Paraprakisht VMRO-DPMNE vendosi edhe kornizën e ndërtimit të potencialit të koalicioneve me partitë tjera.

Në këtë kornizë ka tri postulate; shtet i fuqishëm ekonomik, front kundër krimit dhe korrupsionit dhe realizimi i interesit strategjik për integrime evropiane, sipas vlerave dhe parimeve. /tvklan.mk/

Shpërndaje në: