Nis panairi “Vera në Malësi”, dekorohet ambasadori Hysa (FOTO)
Ka nisur dje Panairi i Librit “Vera në Malësi” në Tuz të Malit të Zi, si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Komunën e Tuzit. Një hapësirë kushtuar të gjithë adhuruesve të librit, të cilët në këtë panair e kanë gjetur veten mes krijimtarisë dhe veprave të ndryshme me vlera të mirëfillta letrare. Në këtë panair marrin pjesë mbi 20 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat kanë sjellur në Tuz botime të reja dhe ato ekzistuese të zhanreve të ndryshme, ndërsa do të ketë edhe promovime të librave të autorëve të ndryshëm nga Malësia dhe viset e tjera shqiptare.
Në ceremoninë e hapjes së këtij edicioni, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj theksoi rëndësinë e zhvillimit të kulturës, artit e shkencës në Tuz. “Edhe pse ishim në kushte tejet të vështira për shkak të pandemisë, vitin e kaluar arritëm që ta organizojmë me sukses Panairin e librit, të vetëdijshëm se nuk kemi kohë për të humbur dhe se sa më pare të lidhemi me kulturën, artin, shkencën, pra me fijet e dijes, aq më pare do të zhvillohemi e do të ecim përpara”, u shpreh Gjeloshaj.
Në emër të organizatorit të pranishmëve ju drejtua përfaqësuesja e Sekretariatit për vetëqeverisje lokale të Komunës së Tuzit, Marina Ujkaj, e cila falënderoi shtëpitë botuese që pranuan ftesën për pjesëmarrje si dhe ftoi të gjithë qytetarët që të vizitojnë Panairin në ditët në vijim.
Gjithashtu, kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj i ndau mirënjohje Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, për kontributin e dhënë në zhvillimin e Komunës së Tuzit. Ceremonia u zhvillua në prani të shumë personaliteteve të jetës politike, letrare, shoqërore e publike. Ndryshe, Panairi i Librit “Vera në Malësi” në Tuz do të jetë i hapur deri më 21 gusht, ndërsa të interesuarit mund ta vizitojnë të njëjti nga ora 9 e mëngjesit deri në 12, si dhe nga ora 18 deri në ora 22:00.