Nis kampi për konservimin dhe interpretimin e objekteve muzeale
Të hënën në Muzeun e Kosovës ka filluar Kampi Rajonal i Restaurimit nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” (CHwB Albania), me temën “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale” me 20 profesionistë të rinj dhe tetë ligjërues e konservues nga Ballkani dhe Evropa.
Pjesëmarrësit do të fokusohen në konservimin e objekteve dhe interpretim në Muzeun e Kosovës. Ligjëratat dhe ushtrimet që do të mbahen përgjatë Kampit do të mbulojnë tema si: konservimi dhe rrjetëzimi i objekteve muzeale, principet dhe metodat e dokumentimit, si dhe teori dhe ushtrime të interpretimit të trashëgimisë.
Pjesëmarrësit do të punojnë nën drejtimin e një ekipi restauratorësh ndërkombëtarë dhe stafit të Muzeut të Kosovës.
Objektet e punës variojnë nga ato të gurit, qeramikës, metalit, tekstilit, si dhe objekte të bëra nga materiale të përzier.
Ky Kamp Rajonal i Restaurimit organizohet në partneritet me Muzeun e Kosovës, si dhe mbështetet financiarisht nga Shteti i Suedisë.
Kampi do të zgjatë deri më 26 maj (ora 09:00-18-00).