Nis dëshminë në Speciale Ahmet Rrahmanaj

Nis dëshminë në Speciale Ahmet Rrahmanaj

Ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, Ahmet Rrahmanaj, ish-pjesëtar i policisë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit W04590, ZPS-ja thirri dëshmitarin e radhës këtë mëngjes. Ky është Ahmet Rrahmanaj i cili, sipas ZPS-së, ka qenë pjesëtar i policisë ushtarake të UÇK-së në njësitin “Lumi” gjatë periudhës përkatëse”, thuhet në njoftim për media të Speciales.

Ndryshe, Rrahmanaj është dëshmitari i 92-të në gjykatë deri më tani në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.

Gjykimi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – rasti më i madh gjyqësor i të ashtuquajturës gjykatë speciale – do të vazhdojë sot nga ora 09:00.

Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 90 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë, ish-zyrtarë të institucioneve kosovare e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 91-të.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën mes viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Shpërndaje në: