Nimani- ministres Haxhiu: Ta barazosh kontributin e Haradinajt me agjenda të huaja, është cenim i rëndë ndaj historisë së sakrificës kombëtare

Nimani- ministres Haxhiu: Ta barazosh kontributin e Haradinajt me agjenda të huaja, është cenim i rëndë ndaj historisë së sakrificës kombëtare

Kandiati për deputet nga radhët e AAK-së, Artan Nimani ka reaguar pas deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albuna Haxhiu e cila tha se “Ramush Haradinaj është i lidhur me Serbinë”.

Nimani përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se këto deklarata janë shqetësuese dhe cënojnë rëndë historinë e sakrificës kombëtare.

“Familja Jashari dhe Haradinaj janë simbole të qëndresës dhe bekimit për këtë komb. Prekazi dhe Gllogjani janë për shqiptarët ajo që janë Meka dhe Jerusalemi për besimtarë-vende të shenjta të kujtesës dhe sakrificës kombëtare”, tha mes Tjerash Artan Nimani.

 

Postimi i plotë:

KRIZA MORALE DHE POLITIKE NË KOSOVË

Deklaratat publike që synojnë diskreditimin e figurave kombëtare si Ramush Haradinaj përmes akuzave të pabazuara për lidhje me Serbinë, pasqyrojnë një degradim të rrezikshëm në diskursin politik dhe shoqëror në Kosovë. Të përpiqesh ta barazosh kontributin e tij me ndonjë agjendë të huaj është jo vetëm absurd, por edhe cenim i rëndë ndaj historisë së sakrificës kombëtare.
Familja Jashari dhe Haradinaj janë simbole të qëndresës dhe bekimit për këtë komb. Prekazi dhe Gllogjani janë për shqiptarët ajo që janë Meka dhe Jerusalemi për besimtarë-vende të shenjta të kujtesës dhe sakrificës kombëtare.

Një shoqëri që toleron shpifje të tilla pa kërkuar përgjegjësi morale dhe politike nga autorët e tyre, rrezikon të humbasë aftësinë për të mbrojtur vlerat e saj themelore. Për më tepër, fakti që këto narrativa përçajnë opinionin publik dhe shërbejnë për interesa të ngushta politike, ngre dyshime serioze mbi shkallën e ndikimit të jashtëm në debatin tonë të brendshëm.

Heshtja kolektive përballë këtyre tendencave të rrezikshme nuk është vetëm shqetësuese, por edhe alarm për një krizë më të thellë të kulturës politike dhe vetëdijes kombëtare.
Nëse nuk ka reflektim dhe reagim të qartë, pasoja afatgjata për stabilitetin shoqëror dhe politik mund të jenë të pariparueshme.

Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani
Forumi Intelektual E30

Shpërndaje në: