Nimani: Grante për “bujqësinë”, por fituesit nuk ekzistojnë

Nimani: Grante për “bujqësinë”, por fituesit nuk ekzistojnë

Artan Nimani nga Forumi Intelektual Europa 2030, ka reaguar ndaj Ministrisë së Bujqësisë rreth granteve që jep kjo ministri për fermerët.

Sipas Nimanit, ka shkelje të mëdha në dhëninen e granteve nga ministria dhe thotë se ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse.

 

Postimi i plotë:

GRANTE PËR “BUJQËSINË”, POR FITUESIT NUK EKZISTOJNË

Skandali që kërkon përgjigje nga Qeveria Kurti!

Shkeljet dhe mospërputhjet e identifikuara në ndarjen e granteve për bujqësi për vitet 2020-2023 janë të rënda dhe tregojnë për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse. Qeveria Kurti dhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kanë për detyrë të mbajnë përgjegjësi për këto keqpërdorime të fondeve publike.

Në bazë të gjetjeve të platformës CorrWatch (mbeshtetur nga: British Embassy Pristina, Group for Legal and Political Studies, GAP Institute dhe INDEP), këto raste duhet urgjentisht të adresohen në organet e drejtësisë për të ndalur abuzimet dhe për të garantuar ndarjen e drejtë të fondeve në të ardhmen.

Nga 1,223 grante të shpërndara gjatë periudhës 2021-2023, 541 prej tyre (rreth 44%) janë identifikuar me probleme ligjore ose të dyshimta, duke ngritur shqetësime serioze mbi transparencën dhe zbatimin e kriterieve në ndarjen e këtyre parave publike.

Të dhënat e prezantuara tregojnë për një varg problemesh shqetësuese që kërkojnë llogaridhënie nga institucionet përkatëse:

  • Përfitues të paregjistruar në platforma zyrtare si ARBK, çka vë në dyshim vlefshmërinë e tyre për të përfituar nga grantet.
  • Biznese të regjistruara pas shpalljes së thirrjes, duke ngritur dyshime për praktika të mundshme favorizuese dhe mungesë të transparencës.
  • Përfitues me aktivitete të ndryshme nga bujqësia, që nuk përmbushin kushtet e përcaktuara për ndihmë në këtë sektor.

Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria Kurti duhet të japin përgjigje të qarta lidhur me këto çështje:

  1. Si janë përzgjedhur këta përfitues dhe cilat mekanizma kontrolli janë zbatuar për verifikimin e tyre?
  2. Pse nuk është parandaluar pjesëmarrja e bizneseve të regjistruara pas shpalljes së thirrjeve për grante?
  3. Çfarë masash do të merren për të garantuar që fondet publike të shpërndahen drejt përfituesve të ligjshëm, në përputhje me kriteret?

Këto parregullsi përbëjnë një shqetësim serioz mbi menaxhimin e parave publike dhe integritetin e procesit të shpërndarjes së granteve. Prandaj, kërkohet llogaridhënie dhe një rishikim i thellë i këtij procesi për të parandaluar keqpërdorime të tilla kaq masive.

Kjo situatë dëshmon për menaxhim të dobët dhe të papërgjegjshëm të granteve për bujqësi nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë. Përfitimi i fondeve nga biznese fiktive, joaktive dhe të papërputhshme përbën keqpërdorim të hapur dhe shkelje të ligjit.

Rasti duhet të trajtohet menjëherë nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë për të vënë përgjegjësit përpara ligjit dhe për të siguruar transparencë për fondet publike.

Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani

Forumi Intelektual Europa 2030

Shpërndaje në: