Nikaj: E çuditshme që Kurti nuk ndalet në Washington që të takojë përfaqësues më të lartë shtetërorë
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj, duke folur për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Çikago të ShBA-së, deklaroi se “është shumë e çuditshme që një kryeministër i cili viziton Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ndalet edhe në Washington që të takojë edhe përfaqësues më të lartë shtetërorë, me të cilët mund të diskutohen iniciativa dhe agjenda konkrete në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror”.
Në një lidhje direkte në Klan Kosova, ai shtoi se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në ShBA ka pasur diskutime me vendimmarrës aktualë, të cilët mund t’i përgjigjen çështjeve për të cilat Kosova ka nevojë në këtë moment.
“Gjithmonë është e rëndësishme që të takohesh me udhëheqës aktualë institucionesh, të cilët mund të marrin vendime lidhur me çështjet me të cilat përballet Kosova”, deklaroi ai.
Më tej Nikaj shtoi se PDK-ja e konsideron raportin me ShBA-të si një çështje mbipartiake dhe si çështje që vazhdojnë ta kultivojmë me këdo që është në pushtet, por edhe që pretendon të garojë në zgjedhje atje.