Ngritet edhe një aktakuzë për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në majin e vitit 2023.
Sipas njoftimit, M.D, dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, në bashkëveprim dhe koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serbë nga Kosova, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve të forta, kishte sulmuar dhe kanosur pjesëtarët e KFOR-it, të Policisë së Kosovës “duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”.
Prokuroria tha se ka analizuar të dhënat se M.D, kishte marrë pjesë në dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it afër objektit të komunës së Zveçanit.
“Prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal”, u tha në njoftim.
Dhuna në Zveçan shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të majit 2023 që ishin bojkotuar nga ta.