Ngritet aktakuzë ndaj dy biznesmenëve pasi tentuan të përfitonin kundërligjshëm 2.8 milionë euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy pronarëve të kompanive të përfshira në përpjekjen për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën rreth 2.8 milionë euro nga rimbursimi i TVSH-së, përmes faturave fiktive.
Njoftimin lidhur me këtë e dha Administrata Tatimore e Kosovës.
Me këtë vendim, janë pushuar hetimet ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së.
Komunikata:
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton opinionin publik se më datë 18.02.2025 ka pranuar aktvendimin PP. Nr. 169/23 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda. Sipas këtij aktvendimi, Prokuroria ka vendosur të ngrejë aktakuzë ndaj dy pronarëve të kompanive të përfshira në përpjekjen për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën rreth 2.8 milionë euro nga rimbursimi i TVSH-së, përmes faturave fiktive. Po ashtu, me këtë vendim, janë pushuar hetimet ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së.
ATK thekson se ky rast është një dëshmi e qartë e përkushtimit të institucionit tonë në luftën kundër keqpërdorimeve dhe mashtrimeve financiare. Edhe pse ATK vlerëson se përfshirja në këtë skemë mashtrimi mund të ketë qenë më e gjerë se dy personat e akuzuar, ky aktvendim konfirmon se ATK ka arritur të parandalojë një dëm financiar rreth 2.8 milionë euro ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, ATK riafirmon përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë dhe për të përmbushur detyrimet e saj në procedurat gjyqësore ndaj të akuzuarve në këtë rast. Njëkohësisht, ne zotohemi se do të vazhdojmë luftën kundër çdo dukurie negative, duke përfshirë përpjekjet për të përfituar padrejtësisht nga buxheti i shtetit përmes faturave fiktive dhe çdo forme të mashtrimit fiskal. Gjithashtu, do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar praktikat e paligjshme që dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në sistemin tatimor.