Ngjarje e dhimbshme në Shtërpcë: 61 vjeçari gjendet pa shenja jete në oborrin e shtëpisë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Shtërpcë, ku një 61-vjeçar është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur rreth orës 07:30 në fshatin Jazhicë të Shtërpcës.
Bëhet e ditur se një person në oborrin e shtëpisë, e kishte vërejtur trupin e një personi pa ndjenja me ç’rast e kishte lajmëruar policinë.
Vdekjen e viktimës e kanë konfirmuar mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare të Shtërpcës.
Ndërkaq, përveç njësiteve policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Hetimet në lidhje me këtë ngjarje tashmë kanë filluar, ndërkaq rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.